Futboll

Akuza e fortë e Boateng: Komandojnë të bardhët, asnjë prej tyre s’më mbështet

Më 3 janar do të jetë “përvjetori” i 8-të i topit të shkelmuar drejt tribunës pas koreve raciste gjatë miqësores mes Milanit dhe Pro Patrias. Kevin-Prince Boateng mbetet në ballë të luftës kundër racizmit.

“Ajo ngjarje është një plagë e dhimbshme, – pohon futbollisti 33-vjeçar i Moncës gjatë një interviste për “Corriere della Sera”. – Kisha bërë shumë sakrifica për të luajtur në një nga skuadrat më të mira të botës. Mendoja se i kisha lënë pas krahëve ditët e errëta të fëmijërisë. Nuk mund të pranoja më sjellje të asaj natyre”.

Boateng, kur luante me Milanin. Gazeta Si, 28 dhjetor 2020

Në atë ndeshje Milani la fushën, ndërsa pak javë më parë sfida PSG-Bashakshehir u ndërpre po për shkak të racizmit. Klima nuk ka ndryshuar. “Ndoshta është përkeqësuar, po shohim çfarë po ndodh në botë, është vrarë George Floyd. Po vriten njerëz para telekamerave dhe për motive banale. Asnjë i bardhë nuk më ka thënë kurrë se dëshiron të më mbështesë në këtë betejë.

Dikush ka frikë, dikush tjetër e bën, sepse mendon se është më mirë që të mos përzihet në një çështje që nuk i takon. Komandojnë të bardhët: nëse ata ngrejnë zërin, të gjithë janë më të vëmendshëm”, – ka thënë mes të tjerash ish-lojtari i Milanit, aktualisht te Monca.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë