Sport

Akuza e “Sunday Times”: Katari sabotoi rivalët për Botërorin 2022!

Akuza dhe hije dyshimi në lidhje me vendimin për organizimin e Kupës së Botës 2022 në futboll nga Katari ka pasur që në momentin kur ky vend u shpall fitues, në vitin 2010, por tani akuzat rikthehen në vëmendje dhe janë më të fuqishme. Prestigjiozja britanike “Sundey Times” risjell në vemendje çështjen, pas një investigimi të gjatë, duke pretenduar se disponon ekskluzivisht prova bindëse se si Komiteti Promotor i Katarit ka sabotuar kandidaturat rivale me një “lojë të pistë”, që pati sukses në fund. Që kur Katari u shpall fitues, opinioni i përgjithshëm ishte se vendi aziatik e bleu të drejtën për organizimin e Kupës së Botës.

Në artikullin e “Sundey Times” thuhet se Katari ka bashkëpunuar me një kompani komunikimi amerikane, që  në atë kohë quhej “Brown Lloyd Jones”, sot “BLJ Worldwideed”, si dhe me ish-agjentë të CIA-s, me qëllimin për të kompromentuar garën e kundërshtarëve të tij, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Australisë, dy kandidatura shumë të forta. Me këtë mënyrë është vënë në lëvizje një strategji komunikimi për të krijuar idenë se në vendet e tjera kandidate nuk do të ekzistonte mbështetja e duhur e brendshme për organizimin e Botërorit të vitit 2022. Një antireklamë për rivalët e Katarit, që, gjithmonë sipas asaj që shkruan gazeta angleze, ka shkelur hapur rregullat e procesit për kandidaturat e fiksuara nga FIFA.

Ish-presidenti i FIFA-s, Sep Blater, dhe përfaqësuesi i Katarit, në momentin e shpalljes së fituesit 

I menjëhershëm ka qenë reagimi nga Doha, nga ku është hedhur poshtë çdo akuzë e gazetës britanike. “Ka pasur një hetim dhe janë vënë në dispozicion të gjitha informacionet në lidhje me kandidaturën tonë. Këtu përfshihet edhe hetimi i çuar përpara nga Prokurori Michael Garcia. Kemi ndjekur në mënyrë strikte të gjithë rregullat e vëna nga FIFA për procesin e kandidimit për Botërorin 2022”, – ishte qëndrimi nga Katari, pas akuzave të fundit.

FIFA nga ana e saj ka bërë me dije se raporti i detajuar i Prokurorit Garcia, pas dy vjetësh hetime, është në dispozicion të çdokujt që dëshiron të merret me këtë çështje. Ndoshta zbardhja e dokumenteve konkrete nga “Sundey Times” do të hedhë më shumë dritë mbi çështjen e shumë përforlur.

Michael Garcia, Prokurori i FIFA-s, që hetoi çështjen e Katarit 

Në vitin 2010, kur u bënë zgjedhjet për vendet organizatore të Botërorëve 2018-2022, kandidatë për të dytin, përveç Katarit, ishin edhe Australia, Japonia,  Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kandidatura e Indonezisë u hodh poshtë për shkak se mungonte mbështetja nga qeveria vendëse, kurse kandidatura e Meksikës nuk u pranua për pasiguri financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë