Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama i ka quajtur një tymnajë politike akuzat e opozitës për një skemë të dyshuar të vjedhjes së parave publike përmes inceneratorëve.
Duke replikuar me komentuesit në rrjetin e tij social në Facebook, Rama thotë se akuzat për vjedhjet e miliona eurove janë “shpifje politike shifrash marramendëse”.
Ai i quan ato impiante moderne për trajtimin e mbetjeve dhe se janë investime të mëdha për të shpëtuar shumë zona nga plehrat.
“Ato të ‘ashtuquajtura inceneratorë’ janë impiante moderne trajtimi të mbetjeve, të cilat janë investime të mëdha për të shpëtuar zona të tëra të banuara nga plehrat, ndërkohë që këtu s’ka asnjë shpikje për të grabitur paratë e tua, po ka një shpifësirë politike shifrash marramendëse e akuzat monstruoze, ndërkohë që gangrenat mjedisore të plehrave si puna e Sharrës janë mbyllur dhe retë toksike të tymit nga djegia e tyre në natyrë janë zhdukur!”, – përgjigjet shefi i qeverisë.
Ndër të tjera, Rama kujton se një ish-ministër është vënë në pranga dhe drejtësia do të thotë fjalën e saj, duke iu referuar arrestimit të ish-ministrit Lefter Koka.
“Është arrestuar një ish-ministër me akuzën për marrje parash nga kompania dhe për këtë drejtësia do të thotë fjalën e saj patjetër, por kjo është çështje përgjegjësie individuale para ligjit! Kurse të thuash që na qenkan vjedhur qindra miliona euro, kur veprat janë aty e kur puna e bërë është para syve, e kur ato qindra miliona euro nuk janë hiçasfare as ashtu e as aq sa thuhen, kjo është një tymnajë të cilën faktet reale dhe procesi i nisur nga organet reale hetimore, përtej farsës së shpifur të vulëhumburve politikë, do ta tresin njësoj si tymnajat e plehrave të Sharrës”, vijon Rama në Facebook.
Për inceneratorët, Kuvendi ka ngritur një Komision Hetimor Parlamentar, ndërsa po kryhen hetime edhe SPAK.
Për këtë aferë është arrestuar ish ministri i Ramës Lefter Koka, ndërkohë që janë shpallur në kërkim dy administratorët Stela Gugallja dhe Klodian Zoto.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje