Ka filluar gjithçka në maj të 2015-ës, kur policia zvicerane, e mbështetur nga FBI-ja, ndërhyri në hotelin luksoz “Baur au Lac”, në Zyrih, gjatë një kongresi të FIFA-s, duke arrestuar të paktën 11 drejtues të qeverisë botërore të futbollit. Mandati i arrestit ishte lëshuar edhe për persona të tjerë nga Gjykata e Bruklinit, që prej vitesh hetonte FIFA-n dhe presidentin e saj, Zhozef Blater, për korrupsion, riciklim parash dhe vepra të tjera. Blater u largua nga posti i tij dhe pas një procesi të gjatë, mori disa dënime.
Tani, për herë të parë departamenti i drejtësisë në Amerikë ka zbuluar se disa përfaqësues të komiteteve organizatore të Botërorit të Rusisë në futboll dhe atij të Katarit, kanë paguar drejtues të FIFA-s në këmbim të votës për të fituar të drejtën e organizimit të kompeticionit madhor. Të akuzuar janë edhe tre drejtues që punojnë për rrjetet televizive dhe agjenci marketingu, që gjithashtu kanë paguar për të fituar të drejtën televizive.
Autoritetet ruse kanë reaguar ndaj akuzave. “Rusia e ka fituar ligjërisht të drejtën e organizimit të Kupës së Botës, – ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov. – Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për pagesë, e mohojmë kategorikisht këtë akuzë. Rusia ka organizuar botërorin më të mirë të futbollit në histori dhe jemi krenarë. Lexojmë artikuj në media dhe nuk e kuptojmë për çfarë bëhet fjalë”.

Mes drejtuesve të FIFA-s që figurojnë të akuzuar për korrupsion janë argjentinasi Julio Grondona, i ndarë nga jeta në 2014-ën, paraguaiani Nikolas Leoz, i zhdukur vitin e kaluar dhe braziliani Rikardo Teikseira. Ky i fundit ndodhet në vendin e tij, ku nuk ka një marrëveshje për ekstradim me Shtetet e Bashkuara. Është edhe Xhek Uarner, personazhi i njohur nga Trinidad Tobago, i cili në 2015-ën u përball me një gjykatë në Amerikë, që e akuzonte se kishte marrë ryshfet 5 milion dollarë për t’i dhënë votën Rusisë.
Rafael Salguero i Guatemalës u shpall fajto. Ai përfitoi 1 milion dollarë, gjithmonë për të favorizuar Rusinë. Mes drejtuesve më të njohur në atë operacion të policisë, u dënuan presidenti i Conmebol (Federatës së futbollit amerikano-jugor), Juan Angel Napout, dhe presidenti i Federatës Braziliane, Zhoze Maria Marin. Napout është aktualisht në burg në Florida, kurse Marin u lirua nga autoritetet amerikane javën e kaluar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje