Pilote akrobatike, parashutiste, eksploruese (edhe pa duar, në biçikletë). Basmah, aktualisht po përballet me manovrën më të rrezikshme, një hap në boshllëk që ajo nuk priste të përballej kur vendosi të largohej nga Kanadaja dhe Ontario për t’u martuar me princin Hamza bin Hysein, ish-trashëgimtari i fronit të Jordanisë.
Ky i fundit, është gjithashtu një pilot (luftëtar ushtarak), i trajnuar si anëtarët e tjerë të familjes mbretërore në Akademinë Britanike të Sandhurst.
Por në mënyrë të papritur, ata janë bashkë, në arrest shtëpie. Të shtunën në mëngjes, shefi i shtabit të ushtrisë jordaneze, u paraqit në pallat dhe urdhëroi djalin e ish-mbretit Husein dhe të gruas së tij të katërt, Noor, të mos largoheshin nga dhomat e mëdha dhe të shmangnin kontaktet me botën e jashtme.
“Petra”, agjencia zyrtare e lajmeve, e mohoi arrestimin, por Hamzai arriti të kryente një telefonatë me video në rrjetin televiziv britanik, BBC përmes avokatit, në të cilën ai shpjegon se kredencialet e tij të sigurisë janë hequr, interneti dhe komunikimet janë bllokuar (jo të gjitha me sa duket).

Denoncimi
Ai ka denoncuar “paaftësinë dhe korrupsionin” e sistemit në pushtet (nuk përmend emra): “Interesat financiare dhe personale janë më të rëndësishme sesa dinjiteti dhe e ardhmja e 10 milionë jordanezëve që jetojnë këtu. Jam akuzuar për komplot me fuqitë e huaja, kështu shpifin gjithmonë ata që vendosin të sfidojnë”.
“Nuk jam unë personi përgjegjës për rrënimin e qeverisjes, për korrupsionin dhe paaftësinë që reflekton struktura jonë qeverisëse në 15-20 vitet e fundit dhe që po bëhet më keq. Ka arritur në pikën ku askush nuk mund të flasë apo të shprehë opinione mbi asgjë pa u frikësuar, arrestuar, kanosur dhe kërcënuar”, – vijoi ai.
Në fakt, ai përsërit kritikat që e çuan në izolim në shtëpi, siç i përcakton vetë.
Ai duket se interpreton, në një kuptim shumë të gjerë, liritë që gjysmë-vëllai i tij, mbreti aktual Abdullah II, i kishte dhënë 17 vjet më parë në letrën, në të cilën ai i privoi atij titullin e princit të kurorës: “Detyra për të ushtruar këtë rol të nderuar, ju ka mashtruar dhe nuk të ka lejuar të marrësh përgjegjësitë e plota që unë jam gati t’ju besoj”.
Një shpjegim kontradiktor: “Ju heq nga gara për kurorën, por do të keni më shumë pushtet”.

Gara për kurorë
Në vitin 2009, Abdullah II emëroi djalin e tij Huseinin, i cili në atë kohë ishte 15 vjeç, si pasardhës të tij.
Me këtë hap, ai ndjek traditën e babait të tij, i cili i kishte lënë trashëgimi fronin (përfshirë një xhaxhai të hidhëruar dhe hakmarrës) dy javë pas vdekjes së tij nga kanceri në vitin 1999: pasi i kishte premtuar kurorën në 1965-ën vëllait të tij, princit Hassan.
Katër martesa, 12 fëmijë. Vëllezër dhe motra me baba dhe nëna të ndryshme, të cilët kanë jetuar së bashku në oborrin “hashemit” midis xhelozive dhe ambicieve konkurruese.
Abdullah II është djali i Huseinit dhe gruas së tij të dytë Muna; Hamzai lindi nga martesa midis mbretit dhe Noor, me origjinë amerikane, gruaja e katërt dhe e fundit.
Intrigat u bënë edhe më komplekse nga mbështetja (e këmbyeshme sipas interesave) të fiseve të shkretëtirës ndaj anëtarëve të ndryshëm të familjes.

Reagimi i ushtrisë
Ushtria jordaneze, tha se princi Hamza duhet të ndalë veprimet që rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e Jordanisë.
Të shtunën, në kuadër të operacioneve kundër një grushti të mundshëm shteti, autoritetet e vendit arrestuan edhe një ish-ministër Financash dhe një tjetër anëtar të familjes mbretërore.
Jordania ka pak burime natyrore dhe ekonomia e saj është goditur fort nga pandemia, ndërkohë që mbreti Abdullah mbështetet nga fuqitë rajonale dhe konsiderohen edhe nga SHBA-të, si një aleat kryesor në luftën kundër ISIS-it.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje