Lulzim Basha i vlerësoi propagandë të Edi Ramës për të hequr vëmendjen nga situata e pandemisë dhe kriza ekonomike në vend akuzat e mazhorancës që e lidhin atë me hetimin e të ashtuquajturave krime të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Shqipëri.
Kreu i Partisë Demokratike tha se me këto akuza, mazhoranca socialiste po i kryen një shërbim të vyer Beogradit duke ringjallur dhe mbajtur në këmbë akuzat e Serbisë ndaj UÇK-së. Basha thotë se në 7 vite të Edi Ramës në Qeverisje, pozitat e Serbisë në arenën ndërkombëtare karshi shqiptarëve janë forcuar.
“Kurrë nuk bëhem pjesë e shërbimeve që Edi Rama i bën Beogradit duke mbajtur në këmbë akuzat e rrëzuara të Serbisë ndaj UÇK-së. Në vend që të solidarizohesh me Kosovën, t’u përgjigjesh kërcënimeve të Vuçiqit ndaj Kosovës, ti ringjall akuzat e fabrikuara në Beograd. Pozitat e Serbisë kanë ndryshuar gjatë 7 viteve të fundit. Rehabilitimi dhe shfajësimi i Serbisë është vepër e drejtpërdrejtë e Edi Ramës”, tha Basha në një intervistë dhënë për News24.
Në lidhje me votën pro të rezolutës së Këshillit të Europës, për të cilën Taulant Balla tha këtë të enjte se ishte një tradhti kombëtare, Basha tha se po manipulohet qëllimisht opinioni publik. Kreu i PD thotë se rezoluta kërkonte zbardhjen e së vërtetës dhe pikërisht për këtë ka votuar Qeveria e PD-së.
Basha mohoi se ka njohje me personin nga Kosova që deklaron se i ka dhënë një kasetë me filmime nga masakra e Krushës së Madhe dhe akuzon për fabrikime akuzash.
“Unë nuk e njoh këtë person që thotë se unë paskam pasur kasetë për masakrën e Krushës së Madhe dhe e fshinkam. Pse duhet ta fsheh këtë material kur janë publikuar momente nga Masakra e Krushës së Madhe. Këtu ka një dorë që fabrikon të dhënat. Kjo është përpjekje e ulët për të hequr vëmendjen nga skandalet e kësaj qeverie. Ditën që Thaçi e Krasniqi ishin në Hagë, Rama ishte me Vuçiç. Më shqetëson sjellja e kryeministrit të Shqipërisë ndaj Kosovës”, u shpreh ai.
Kryedemokrati nënkuptoi se do të shpërfillë komisionin hetimor parlamentar që socialistët thonë se do të ngrenë për të hetuar akuzat në lidhje me ekzistencën e kampeve të UÇK-së brenda Shqipërisë ku pretendohet se janë kryer krime. Ai thotë se ky Komision përligj akuzat e Beogradit.
“Kujt i Intereson? Ky është shërbim i pastër që i bëhet Beogradit. Kurrë, kurrë nuk bëhem pjesë e shërbimit të Beogradit. T’i po kërkon që unë të përligj diçka që kërkohet nga Beogradi. Ballës dhe Ramës duhet t’i thuash që të ndalë këtë lojë të Beogradit. Akuzat janë hedhur poshtë. Kujt po i shërben ti? Me përpjekje për të ringjallur akuza?”, u shpreh ai.
Për kriminelët e luftës, Basha e drejton gishtin nga Beogradi, ku thotë se disa prej tyre janë sot në pushtet, përfshirë këtu Aleksandër Vuçiç.
“Sot një pjesë e madhe e tyre janë njerëz të fuqishëm të botës së politikës dhe biznesit në Beograd. Sot ka një riciklim të figurave të cilat në ato kohë kanë shërbyer krah për krah kriminelit të Ballkanit dhe njëri prej tyre është dhe Presidenti aktual që ka qenë dhe ministri i Informacionit të Sllobodan Milloshevicit”, tha Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje