Presidenti i PSG-së, Naser Al Khelaifi, është zgjedhur në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s për dyvjeçarin 2019-2021. Ai është zgjedhur, pasi është propozuar nga ECA, shoqata e klubeve europiane, me president Andrea Anjelin. Por vendimi për të nominuar presidentin e PSG-së ka ngritur shumë diskutime dhe ka krijuar polemika, duke pasur parasysh problemet e fundit të klubit parisien dhe Mançester Sitit me “Fair- Play”-in financiar. Pse kjo zgjedhje, që për nga imazhi nuk është aspak ajo më e mira? Pse një personazh kaq i diskutuar në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s?
Në këtë komitet janë dy përfaqësues të ECA-s, presidenti i kësaj shoqate Andrea Anjeli dhe Ivan Gazidis, aktualisht administrator i deleguar i Milanit. Pikërisht ky rol e ka detyruar këtë të fundit të japë dorëheqjen, aq më tepër që nuk mund të ishin të dy përfaqësues nga klubet italiane. Presidenti Anjeli vendosi që përfaqësuesi i dytë të ishte një drejtues i një klubi të rëndësishëm nga pesë kampionatet më të forta europiane.

Kandidatët nuk mungonin, në fakt. Presidenti i Lionit, Aulas, nuk u përzgjodh si kandidat për shkak të limitit të moshës, kurse presidenti i Barcelonës, Bartomeu, nuk pranoi për shkak të impenjimeve të shumta që ka. Real Madrid, për çështje të tjera, nuk është marrë në konsideratë, kurse Mançester Junajtid ra poshtë për faktin se e ka një anëtar në komitet, por në rol tjetër. Mbeti kështu Al Khelaifi, i cili është edhe president i “BeIn Sports”, që të drejtën televizive të kompeticioneve europiane. Çështje oportunizmi?!
Alternativa më e mirë do të kishte qenë ajo e ish-portierit të madh Edvin Van der Sar, por ai përfaqëson kampionatin holandez, që nuk bën pjesë në pesë kampionatet më të rëndësishëm në Europë. A do të ndikojë Al Khelaifi në çështjen e “Fair-Play”-it financiar, ku klubi i tij dhe Mançester Siti akuzohen se kanë dhunuar rregullat? Kjo mbetet për t’u parë. Presidenti i FIFA-s, Aleksandër Ceferin, i rikonfirmuar në këtë post në kongresin e Romës, ka theksuar se në këtë drejtim toleranca do të jetë 0. Në kongresin e fundit u zgjodh anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje