Greqia ndodhet në gatishmëri të plotë për shkak të përhapjes së mutacionit Delta, mes raporteve se vendi fqinj po shkon drejt valës së katërt të pandemisë së koronavirusit.
Shpërthimi i rasteve të reja me më shumë se 1200 të infektuar në ditë duket se ka alarmuar qeverinë, duke bërë që kryeministri Qiriako Mitsotqis të thërrasë një takim të jashtëzakonshëm në me përfaqësues të Bashkimit të Rajoneve Greke.
Takimi do të shqyrtojë situatën epidemiologjike të secilit rajon, sidomos në Kretë ku ka një shpërthim tw rasteve me variantin Delta, ndërsa kryeministri do të kërkojë ndihmën e autoriteteve lokale në përshpejtimin e vaksinimeve.
Qeveria ndodhet në alarm, pasi ekspertët grekë parashikojnë dyfishimin e numrit të rasteve ditore me Covid-19 në një kohë shumë të shkurtër dhe më pas një rritje eksponenciale, duke paralajmëruar për një vjeshtë të rrezikshme dhe rritjen e presionin ndaj sistemit shëndetësor nëse nuk ndërmerren masa.
Një parashikim alarmant u bë nga profesori i sëmundjeve infektive Nikos Sypsas, i cili deklaroi se është çështje kohe para se vala e katërt të mbërrijë në Greqi dhe se në gusht vendi fqinj do të ketë një shpërthim të rasteve të koronavirusit.
Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të vaksinohen dhe të mbajnë maskat. Ai gjithashtu tha se nuk përjashtohet rikthimi i masave kufizuese, përfshirë edhe kufizmi i lëvizjes në kufi.
“Është çështje kohe që vala e katërt të vijë në Greqi. Rreth mesit të gushtit do të kemi një shpërthim të rasteve. Unë do të kisha frikë të mos vaksinohesha ndërkohë që vala e katër po vjen. Më bën përshtypje se si disa njerëz rrezikojnë shumë të mbeten të pa vaksinuar. “Njerëzit e moshuar dhe ata që kanë sëmundje shoqëruese duhet të vaksinohen urgjentisht, asnjë moshë nuk është e paprekshme”, thotë eksperti.

Sypsas vuri në dukje se të rinjtë që përhapin virusin rrezikojnë të dashurit dhe ekonominë e vendit, ndërsa theksoi se mutacioni Delta është më ngjitës. “Mbetet për t’u parë nëse mutacioni Delta është më i rrezikshëm,” tha ai.
Në fakt, ai theksoi se ekziston “një shpërndarje e gjerë e mutacionit Delta, në të gjithë vendin fqinj.
Po ashtu edhe George Pavlakis, studiues grek në Institutit Kombëtar të SHBA-së, paralajmëron se Greqia ndodhet në fillim të valës së katërt, e cila sipas tij “po vjen me furi të madhe”.
“Nëse situata vazhdon kështu, brenda një jave do të kemi dyfishimin e rasteve dhe pas dy javësh, katërfishimin e tyre”, thotë eksperti për mediat greke.
Studiuesi thekson se ishte i befasuar nga shpejtësia e valës së katërt nga mutacioni “Delta”, duke thënë se ndryshe nga Anglia dhe Portugalia, Greqia po shkon nga vala e tretë menjëherë në të katërtën, sepse rastet janë dyfishuar në nje jave. “
Pavlakis parashikoi që nëse rastet janë të larta në verë, në vjeshtë situata nuk do të jetë më e menaxhueshme dhe do të nevojiten shumë vendime të vështira dhe masa të vështira. Ai iu referua posaçërisht Kretës, duke parashikuar një javë të vështirë në javët e ardhshme”.
Pavlakis e përshkroi mutacionin Delta si “si një zjarr në një pyll me pisha” që “nuk ka asnjë mënyrë për të ndaluar”.
*Burimet: “Ekathimerini, “In.gr”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje