Pothuajse të gjithë fëmijët në të gjithë globin janë prekur nga masat post pandemi, mbyllja e shkollave dhe ndërprerja e rutinës së përditshme
Shumë të rinj po ndihen të frikësuar, të zemëruar dhe të pasigurt për të ardhmen, thuhet në raportin e publikuar të martën nga UNICEF dhe Gallup bazuar në intervistat e zhvilluara në 21 vende në 6 muajt e parë të vitit tek moshat 15-24 vjeç
Pothuajse një e treta e fëmijëve në Kamerun thanë se shpesh ndiheshin në depresion ose kishin pak interes për të bërë gjëra, ndërsa një në pesë fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar dhe një në 10 fëmijë në Etiopi dhe Japoni ndiheshin në këtë mënyrë.
Gjetjet nuk pasqyrojnë nivelin e depresionit, por tregojnë se si janë ndier fëmijët dhe të rinjtë gjatë pandemisë Covid-19.
Raporti nënvizon se një në shtatë e kategorisë së moshave 10 deri në 19 vjeç (13%) vlerësohet se jetojnë me çrregullim të diagnostikuar të shëndetit mendor, përkatësisht 89 milionë djem dhe 77 milionë vajza.
“Kanë qenë 18 muaj të gjatë për të gjithë ne – veçanërisht për fëmijët. Me bllokimet mbarëkombëtare dhe kufizimet e lëvizjeve, fëmijët kanë kaluar vite të pashlyeshme të jetës së tyre larg familjes, miqve, klasave, lojës – elementët kryesorë të fëmijërisë, “tha Henrietta Fore, drejtoreshë ekzekutive e Unicef.
Pandemia po shkon në vitin e saj të tretë dhe shqetësimi për ndikimin e saj në shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve mbetet.
Çdo vit, rreth 45.800 adoleshentë vdesin nga vetëvrasja, e cila është shkaku i pestë më i përhapur i vdekjes për fëmijët e moshës 10 deri në 19 vjeç.
Për moshat 15 deri në 19 vjeç vetëvrasja është shkaku i katërt më i zakonshëm i vdekjes tek djemtë ndërsa tek vajzat shkaku i tretë.
“Është vërtet keq,” tha Ann Ëillhoite, një specialiste e shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale në Unicef. “Nëse shikoni statistikat në krahasim me çështjet e tjera, të dhënat janë tronditëse”
Problemet e diagnostikuara të shëndetit mendor, përfshirë ankthin, autizmin, çrregullimin bipolar, depresionin, çrregullimet e të ngrënit dhe skizofreninë, mund të dëmtojnë ndjeshëm shëndetin, arsimimin dhe të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve, thuhet në raport.
Problemet e patrajtuara të shëndetit mendor gjithashtu kanë një ndikim në ekonomitë botërore.
Një analizë e fundit në Londër, e përfshirë në raport, tregoi se kostoja ekonomike e një neglizhimi të tillë është 387.2 miliardë paund në vit.
Pavarësisht kërkesës për mbështetje, shpenzimet e qeverisë për shëndetin mendor në nivel global përbëjnë 2.1% të shumës totale të shpenzuar për shëndetin në përgjithësi.
Në disa nga vendet më të varfra të botës, qeveritë shpenzojnë më pak se 1 dollarë për person për trajtimin e problemeve të shëndetit mendor.
Numri i psikiatërve të specializuar në trajtimin e fëmijëve dhe adoleshentëve është më pak se 0.1 për 100,000 banorë, me përjashtim të vendeve me të ardhurave të larta, ku shifra është 5.5 për 100,000.
Mungesa e investimeve do të thotë që njerëzit që punojnë në fusha të caktuara, përfshi kujdesin shëndetësor parësor, arsimin dhe shërbimet sociale, nuk janë në gjendje të adresojnë çështjet e shëndetit mendor.
“Shëndeti mendor është pjesë e shëndetit fizik dhe ne nuk mund ta trajtojmë apo shohim atë ndryshe”, tha Fore.
“Për shumë kohë, në vendet e pasura dhe të varfra, ne kemi parë shumë pak mirëkuptim dhe shumë pak investime në një element kritik që lidhet me rritjen e potencialit të çdo fëmije. Kjo duhet të ndryshojë”.
Marrë nga “The Guardian”/ Përshtati në shqip Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje