Kryeministri në detyrë i Kosovës ka marrë mbrëmjen e së martës një kërcënim me jetë nga një grup i quajtur “Garda Vullnetare Shqiptare”.
Ishte vetë Kurti ai që publikoi në një postim në rrjetin social Facebook, letrën kërcënuese, ku ai dhe drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje paralajmërohen për sigurinë personale dhe familjeve të tyre.
Grupi që ka dërguar këtë letër e cilëson Lëvizjen Vetëvendosje si “organizatë kriminale” dhe paralajmëron për pasojat të rëndë` nëse vazhdon me planin për protesta.
“Njoftojmë udhëheqësit e kësaj organizate kriminale (LVV) se ne pjesëtarët e Gardës nuk do të qëndrojmë duarkryq duke ju shikuar nga larg. Njësitet tona do të jenë kudo që paraqitet nevoja dhe do t’i dalim në mbrojtje vendit. Albin Kurti dhe të gjithë udhëheqësit e LVV që ndihmojnë në organizmin e kësaj proteste, tanimë kanë arsye të shqetësohen për sigurinë e tyre dhe të familjarëve të tyre nga njësitet e Gardës”, shkruhet mes të tjerash në letrën e publikuar nga Kurti.
Këtë kërcënim, Kryeministri në detyrë e ka vlerësuar jo si kërcenim ndaj tij, por ndaj Gjykatës Kushtetuese.
“Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura Garda Vullnetare Shqiptare, në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër”, shkruan Kurti në Facebook.
Në reagimin e tij, Albin Kurti e lidh këtë kërcënim me atë që ai e quan “regjim i vjetër” dhe Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin e quan “kapo të PRONTO-s”.
“Regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tani populli po ua përkujton përditë se edhe ai i ka braktisur ata. Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t’i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin”, thekson kryeministri në detyrë.
Kreu i Vetëvendosjes e mbyll reagimin e tij duke thënë se në zgjedhjet e ardhshme partia e tij do të thellojë diferencën si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje