Albin Kurti ka folur për herë të parë si kryeministër i Kosovës për ato që kanë të ngjarë të jenë “temat më të nxehta të mandatit të tij”, shkëmbimi i territoreve dhe bashkimi kombëtar.
Gjatë një intervistë me gazetën prestigjioze gjermane “Süddeutsche Zeitung”, kreu i ri i qeverisë së Kosovës u pyet mbi i idenë e bashkimit me Shqipërinë, premtimi më i madh i tij përgjatë gati 20 viteve në opozitë. Edhe pse më një qëndrim më të moderuar, kryeministri Kurti nuk e përjashtoi idenë e bashkimit kombëtar.
“T’i lësh njerëzit të zgjedhin është diçka tjetër dhe të sillesh si gjeneralët e Luftës së Parë Botërore, që qëndronin gjatë gjithë kohës mbi harta është diçka tjetër. Gjithçka do të duhej të ndodhte në mënyrë paqësore, demokratike dhe transparente. Atëherë bashkimi kombëtar do të jetë i pranueshëm”, deklaroi kreu i Vetëvendosjes.
Duke u ndalur tek “patatja e nxehtë” e mandatit të tij, dialogu me Serbinë, kryeministri Kurti përjashtoi mundësinë e negocimit për shkëmbimin e territoreve. Ai paralajmëroi se kjo ide nuk është shuar akoma dhe se mund ta zhysë Ballkanin sërish në kaos.
“Them se projekti ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur. Duhet të jemi të kujdesshëm. Zgjidhje të tilla me shkëmbime territoresh apo ndryshime kufijsht mund të hapin Kutinë e Pandorës në Ballkan”, deklaroi Kurti

Sipas tij, në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës nuk mund të bëhet asnjë përparim nëse Serbia nuk pranon realitetin se Kosova është shtet i pavarur.
“Ne nuk mund të kthehemi në kohën e Millosheviçit. Sa më parë që e pranojnë këtë, aq më mirë për të dy palët”, u shpreh kryeministri.
Ai foli po ashtu për rolin që po luan në Ballkan i dërguari special i SHBA-së për dialogun, i cili u emërua në postin e drejtorit të inteligjencës kombëtare, duke thënë se është bindur se qëllimet e tij janë pozitive.
“Grenell ka sjellë energji të re në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk besoj se ka qëllime të këqija”, tha Kurti. Megjithatë, ai i kujtoi Grenell se njeriu më të cilin duhet të negocionte nuk ishte presidenti Hashim Thaci, por ai.
“Por tani kur Kosova ka qeveri të re, negociatat e tilla nuk mund të zhvillohen mes presidentëve. Këtë duhet ta bëjnë qeveritë e zgjedhura”, tha Kurti.
Ai solli në vëmendje faktin se as ai dhe as qeveria e tij nuk ishin përfshirë në marrëveshjen për rindërtimin e linjave hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë të nënshkruar në Mynih.
“Ne nuk kemi qenë të përfshirë. Kam rezerva, mes tjerash lidhur me çështjen nëse financimi do të ishte në dakordësi me Kushtetutën. Versionin final të marrëveshjes nuk e kam parë. As ministri i infrastrukturës, as unë si kryeministër nuk e kemi miratuar nënshkrimin. Ende ka njerëz të fuqishëm në pozita të rëndësishme, por ne nuk mund të kthehemi prapa në kohën para 6 tetorit, kur njerëzit votuan për ndryshime. Kosova dhe njerëzit e saj kanë dëshmuar se opozita mund ta largojë dhe zëvendësojë qeverinë. Në dallim nga disa vende fqinje’, tha Kurti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje