Futboll

Alesio Hyseni, shqiptari i parë që nis sezonin në Europë, në…Ishujt Faroe

Kampionati i parë europian që do të nisë pas pandemisë së koronavirusit është ai i Ishujve Faroe. Në vendin nordik virusi nuk ka bërë dëme dhe më 9 maj nis sezoni i ri, ku protagonist do të jetë edhe një futbollist shqiptar, mesfushori Alesio Hyseni, i huazuar nga Partizani te skuadra e Klaksvik.

Nuk ka asnjë dilemë në lidhje me fillimin e kampionatit në këtë vend. Ishujt që ndodhen 1400 kilometra larg Danimarkës, së cilës i përkasin politikisht, janë plotësisht gati edhe për futbollin. Vendi i njohur për eksportin e salmonit, ka fiksuar datën 9 maj për fillimin e kampionatit, që është i pagëzuar “Meistaradeildin” (kategoria e maestrove). Drejtuesit e futbollit në Ishujt Faroe u detyruan ta shtynin 2 muaj nisjen e sezonit nga koronavirusi, pasi zakonisht ai nis në mars dhe vazhdon deri në fund të vitit kalendarik.

Alesio Hyseni, duke shijuar plazhin në Ishujt Faroe. Gazeta Si, 1 maj 2020

Ishujt Faroe janë i vetmi vend në Europë, ku nuk ka pasur asnjë viktimë, ndoshta ngaqë ka pak banorë (37 barorë për km katror) dhe ndoshta ngaqë izolimi është më i lehtë. Janë vetëm 187 të infektuar, të kthyer nga Franca dhe Italia. “Pandemia ka pasur impakt në jetën tonë të përditshme, – thotë Pal Kletskard, sulmuesi i Klaksvik, shok skuadre me Hysenin. – Si gjithë vendet e Europës, shkollat, aktivitet sportive dhe entet publike u mbyllën. Tani po kthehet normaliteti, shkollat janë hapur dhe kampionati nis më 9 maj”.

Klaksvik, është kampion në fuqi në Ishujt Faroe. Alesio Hyseni, mesfushori me origjinë nga Vlora, por i lindur në Itali, ka fituar tashmë edhe trofeun e parë me ekipin e tij, Superkupën. Futbollisti 23-vjeçar, që më parë është aktivizuar edhe me Flamurtarin, kaloi në merkaton e dimrit në Ishujt Faroe në formë huazimi, pasi kartonin e tij e ka Partizani. U duk një zgjedhje e çuditshme, pasi me siguri Hyseni është shqiptari i parë që luan në këtë vend, por që i ka dalë për mirë.

Hyseni në dyluftim me Torasën gjatë një derbi Partizani-Tirana. Gazeta Si, 1 maj 2020

Kampionati i vetëm në Europë që është zhvilluar gjatë kësaj kohe është ai i Bjellorusisë, ku luan një tjetër shqiptar, Elis Bakaj. Në këtë kampionat janë luajtur 6 javë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë