Politike

Alibeaj në emër të PD: Hapja e dosjeve të Sigurimit, jo selektive

Duke folur në emër të Partisë Demokratike në ceremoninë përkujtimore të viktimave të kampit të Tepelenës, Enkelejd Alibeaj tha se të gjitha nismat kundër dekomunistizimit të shoqërisë, hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe ligjet e lustracionit kanë qenë të pjesshme dhe janë përdorur për qëllime politike.

Një formë lustracioni konsiderohet nisma e fundit e PS-së për verifikimin dhe hapjen e dosjeve të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të pajisur me certifikata të pastërtisë së figurës nga komisionet Mezini dhe Bezhani.

Alibeaj edhe këtë nismë e cilëson selektive. Ai deklaron se lustracioni s’mund të kryhet i veçuar nga procesi i dekomunistizimit të shoqërisë, propozim sipas të cilit PD kërkon edhe shpalljen të jashtëligjshme të simboleve komuniste dhe të Partisë Komuniste.

“Lustracioni duhet të shkojë paralelisht së paku me komponentë të tjerë siç janë deklasifikimi i dosjeve, ndalimi i simboleve të komunizmit dhe ngritja e muzeve dhe memorialeve te kujtesës. Vetëm kështu dekomunistizimi shndërrohet në një proces me impakt në shoqëri”, thotë ai.

“Lustracioni nuk mund të bazohet tek hakmarrja, qoftë kjo personale apo për motive politike. Në këto 30 vjet ka qenë pikërisht konceptimi i tij si mjet hakmarrjeje dhe për këtë arsye, ai ka qenë mjet i njëanshëm, që ka gjetur kundërshtim, keqkuptim, moskuptim apo refuzim nga pjesë të tjera të shoqërisë. Nëse ai konceptohet si një nevojë e gjithë shoqërisë shqiptare, një masë proporcionale me nevojën për dekomunistizim të shoqërisë e bashkë me të, edhe të politikës, për t’u shkëputur nga e djeshmja komuniste dhe kjo si një nevojë e gjithëpranuar, vetëm kështu do të ishte e suksesshme”, vijoi Alibeaj.

Alibeaj tha se procesi i lustrimit duhet të jetë i gjithëpranuar nga politika, përndryshe paralajmëron dështimin.

“Ne kemi bindjen se nëse plotësohen kushtet e mësipërme, një proces ligjor lustrimi mund të jetë i gjithëpranuar nga shoqëria dhe politika, e cila ka detyrën që të veprojë sipas nevojave dhe në shërbim të shoqërisë”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë