Politike

Ambasada e SHBA paralajmëron kujdes për 2 marsin, Presidenca: Do jenë 200 shqiptaro-amerikanë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u ka bërë thirrje shtetasve të saj që të shmangin zonën e manifestimit të 2 marsit, manifestim i thirrur nga Presidenti Ilir Meta. “Një tubim politik pritet të zhvillohet në 2 Mars 2020 duke filluar rreth orës 5:00 pasdite. Kohëzgjatja e tubimit është e panjohur. Demonstratat e kaluara kanë pasur dhunë. Forcat e sigurisë kanë përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat”, lexohet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.
Për këtë kjo ambasadë kërkon që të shmangen vendet e mundshme të protestës, përfshirë bulevardin dhe të monitorojnë median lokale për përditësime.
Pas këtij qëndrimi ka ardhur menjëherë reagimi i Presidencës që ka qartësuar ambasadën e SHBA për orarin e protestës dhe ka hedhur poshtë qëndrimet për ndonjë alarm për manifestimin e 2 marsit.
“Asnjë alert për datën 2 mars, për qytetarët shqiptarë dhe të huaj që jetojnë dhe do të mbërrijnë në Tiranë! Përkundrazi, jemi shumë të lumtur që këtij Manifestimi madhështor Mbarëkombëtar do t’i bashkohen edhe mbi 200 shqiptaro-amerikanë, të cilët na kanë konfirmuar pjesëmarrjen në 2 mars dhe një pjesë e të cilëve sapo kanë mbërritur në Atdhe. Dhe me të drejtë, sepse për liritë dhe vlerat amerikane, ata nuk mund t’i marrin leje as Rilindjes dhe as ndonjë segmenti të Sigurimit të Shtetit, kudo që ai të ndodhet”, shkruan zëdhënësi Blushi në Facebook.

https://www.facebook.com/blushited/posts/10158030498537760


Më tej, ai bën të ditur se presidenti Meta ka pasur një takim me drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, për të folur mbi mbarëvajtjen e manifestimit.
“Gjithashtu, mund t’ju konfirmoj se sot paradite Presidenti Meta me kërkesën e tij ka pritur në takim drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, duke u konfirmuar bashkëpunimin maksimal të Institucionit dhe të tij, për mbarëvajtjen e këtij Manifestimi madhështor Mbarëkombëtar në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë! Çdo detaj është i mirëpërcaktuar me kohë. Manifestimi fillon në ora 17.00, me flamuj kuqezi dhe mimoza në duar, e përfundon në ora 19.00. Godina e Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme do të mbrohen nga aktivistë të identifikuar”, u shpreh Blushi.
Ndërsa i është kundërpërgjigjur ambasadës, duke deklaruar se në këtë manifestim do të mirëpresin 200 shqiptaro-amerikanë që do t’u dhurohet një degë mimoze dhe një Kushtetutë e Shqipërisë, e votuar me 140 vota dhe me bekimin e Komisionit të Venecias, SHBA-ve dhe BE-së. Alerti i vetëm i 2 marsit, është për puçistët që tallen me Kushtetutën dhe sovranitetin e popullit shqiptar duke miratuar apo bekuar pabesisht ligje anti-kushtetuese! Të gjithë më 2 mars për Kushtetutën dhe kundër grushtit të shtetit. Për Shqipërinë dhe sovranitetin e popullit shqiptar! Zoti e bekoftë miqësinë e palëkundur shqiptaro-amerikane! Pa Kushtetutë nuk ka demokraci! Pa demokraci nuk ka Shqipëri!”, mbyllet postimi i zëdhënësit të Metës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë