Politike

Ambasada e SHBA-ve dënon sulmin me armë ndaj TCH: Autorët para drejtësisë

Gazeta Si – Ambasada e SHBA-ve ka dënuar sulmin me armë zjarri ndaj godinës së Top Channel, ku për pasojë humbi jetën roja i objektit, 60-vjeçari Pal Kola.

Përmes reagimit në Twitter, elia diplomatike në Tiranë, i ka shprehur ngushëllimet më të thella familjes së viktimës.

Ambasada e SHBA-së i ka bërë thirrje organeve të rendit të kryejnë një hetim gjithëpërfshirës që do të sjellë para drejtësisë autorët.

“Ambasada e SHBA në Tiranë dënon ashpër sulmin vdekjeprurës në Top Channel dhe i shprehim ngushëllimet më të thella familjes së viktimës. I bëjmë thirrje organeve të rendit të kryejnë një hetim gjithëpërfshirës që do të sjellë para drejtësisë autorët”, ka reaguar Ambasada e SHBA-së në Twitter.

Edhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka dënuar me forcë sulmin kriminal kundër Top Channel-it, duke e konsideruar sulmin ndaj medias një sulm flagrant kundër demokracisë.

Duke i shprehur ngushëllimet familjes dhe kolegëve të Pal Kolës, OSBE kërkon një hetim të shpejtë për zbardhjen e plotë të incidentit dhe vendosjen para drejtësisë të autorëve të krimit.

“Dënojmë me forcë sulmin kriminal kundër Top Channel-it dhe shprehim tronditjen dhe ngushëllimet tona të ndjera për familjen dhe kolegët e punonjësit të sigurisë, z. Pal Kola, i cili humbi jetën në krye të detyrës, ndërsa ruante ndërtesën ku bëhet gazetari që i shërben informimit publik. Një sulm i tillë flagrant kundër medias është sulm flagrant kundër demokracisë. Prezenca e OSBE-së u bashkohet thirrjeve të zyrtarëve më të lartë të shtetit për një hetim të shpejtë e të plotë të incidentit dhe pret që autorët dhe motivet e plota të këtij sulmi të identifikohen dhe të vihen para drejtësisë”- thuhet në njoftim.

Përmes një mesazhi në faqen zyrtare, ambasada britanike i shpreh ngushëllime familjes së viktimës dhe të gjithë personave të prekur nga sulmi flagrant kundër medies së lirë.

“Shprehim tronditjen mbi incidentin e dhunshëm në Top Channel dhe shpresojmë që përgjegjësit të dalin sa më parë përpara drejtësisë. Mendimet dhe ngushëllimet tona janë me familjen e viktimës dhe të gjithë personat e prekur”, – shkruan ambasada britanike.

Edhe delegcioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka dënuar sulmin ndaj Top Channel. “Delegacioni i BE-së në Shqipëri, dënon sulmin me armë zjarri në mjediset e Top Channel dhe i shpreh ngushëllimet e thella familjes dhe kolegëve të Pal Kolës, rojes së sigurisë që mbeti i vrarë në sulm. U bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë një hetim të shpejtë dhe të plotë dhe të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë. Sundimi i ligjit dhe liria e medias janë dy vlera themelore të shoqërive demokratike që duhet të respektohen.’- thuhet në reagim për mediat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë