Politike

Ambasadori britanik: Këtë vit do ketë të tjera ‘Non Grata’, hapa edhe për konfiskimin e pasurive

Ambasadori britanik Alastair King Smith tha se pritet të kemi një shtresëzim të llogaridhënies në shkallë ndërkombëtare për të gjithë shkelësit e ligjit.

I ftuar në  emisionin “Now” kur u pyet nga Erla Mëhilli nëse do ketë shpallje të non gratave nga shteti britanik, ambasadori King Smith u përgjigj “Po”. Madje ai shtoi se nuk do ketë rëndësi se çfarë pune apo roli do kenë për aq kohë sa ata persona janë të lidhur me krimin dhe korrupsionin.

“Ashtu siç e përmenda më parë, ne do të shohim se çfarë veprimesh të tjera do të ndërmarrim si në Shqipëri dhe në rajon, edhe në rang global sepse ne mendojmë se llogaridhënia është e rëndësishme dhe nëse mundemi të kemi një shtresëzim të llogaridhënies në shkallë ndërkombëtare. Mbretëria e Bashkuar ashtu si edhe vende të tjera do të ndërmarrë hapa për konfiskimin e pasurive dhe presim vendimet e këtij viti.

Nuk ka rëndësi se çfarë punë apo roli dikush ka. Nëse janë të lidhur me krimin dhe korrupsionin, politikanë, biznesmenë apo të tjerë ata mund të specifikohen’, tha ambasadori britianik në Tiranë.

Alastair King Smith tha se krimi në Shqipëri është i lidhur me politikën dhe krimin dhe kjo është një nga problemet mes Shqipërisë dhe Anglisë.

Ai tha se krimi është problem ndërkombëtar dhe ajo që duhet të bëjmë është të përkushtohemi që këto lidhje të dobësohen në mënyrë që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme

“Po bie dakord që është problem. Mënyra e lidhjes midis politikës, krimit dhe biznesit, është problem i të gjithëve. Ndaj dhe krimi është fenomen ndërkombëtar, dhe duhet të përkushtohemi me forcat tona për dyfishimin e përpjekjeve dhe njerëzit duhet të shohin dhe të sigurohemi që këto lidhje të dobësohen dhe të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe politika te përfaqësojë njerëzit”,-tha Ambasadori britanik.

Po ashtu Alastair King-Smith u bëri thirrje shqiptarëve që të zgjedhin rrugët ligjore për të shkuar në Britani.

Ai u shpreh se disa ditë më parë Ministria britanike e Financave shpalli një numër të vendeve të punës në sektorin e ndërtimit, që siç tha mund të shfrytëzohen nga shqiptarët duke aplikuar për viza pune.

“Ju e keni dëgjuar thirrjen time dhe qeveria britanike e ka bërë të qartë. Ata të cilët kërkojnë të shkojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar duhet të aplikojnë për viza. Ende nuk besohet por vitin e kaluar mbi 90% e aplikantëve kanë marrë vizat e tyre. Njerëzit ende besojnë se të marrësh një vizë britanike është tejet e vështirë. Derisa mund të përgjigjesh me ndershmëri pyetjeve të sistemit online për aplikim, mbështetur edhe me dokumentacionin që kërkohet nuk ka mundësi për refuzim, prandaj 90% arrijnë të përfitojnë viza. Kjo shifër përfshin jo vetëm viza turistike apo studentore por edhe viza pune. Unë do të doja të shihja me tepër aplikime për viza pune dhe që shqiptarët të punojnë në mënyrë efektive. Përpara 10 ditësh, Ministria e Financave britanike, shpalli një numër të vendeve të punës në sektorin e ndërtimit. Kjo do të thotë se një numër i madh shqiptarësh që punojnë në këtë sektor në Mbretërinë e Bashkuar mund të aplikojnë për viza pune. Ne i nxisim njerëzit që të zgjedhin rrugën e ligjshme dhe të mos rrezikojnë në udhëtime të vështira dhe të paligjshme”, u shpreh ambasadori.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë