Për rreth dy orë, Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernard Borchardt ka zhvilluar një takim me kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Ademi është një prej kryebashkiakëve të Partisë Demokratike që ka deklaruar se nuk do t’i lirojë zyrën Valdrin Pjetrit të dalë kryetar nga zgjedhjet e 30 qershorit.
Përveç mosnjohjes së 30 qershorit, PD akuzon se Valdrin Pjetri ka falsifikuar formularin e vetëdeklarimit sipas ligjit të dekriminalizimit dhe rezulton i akuzuar nga drejtësia italiane për trafik.
Vetë Ambasadori Borchardt pranoi në fund të takimit se temë ka qenë edhe 30 qershori dhe situata e përgjithshme politike në vend, por nuk dha më shumë komente. Se çfarë u diskutua më tepër detaje dha njoftimi i Bashkisë së Shkodrës.
“Janë diskutuar tema të aktualitetit politik në vend, problematikat e gjetjet e raportit paraprak te OSBE/ODIHR për procesin e 30 qershorit, kerkesa e paraqitur ne Gjykatë Kushtetuese nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë si dhe për situatën që ka pasuar votimin e 30 qershorit. Në kuadër të projektit të bashkëpunimit, Prezenca e OSBE-së në Tiranë, ka përzgjedhur Bashkinë e Shkodrës ndër 61 bashkitë në vend për një projekt të ri për mbështetjen e qëndrueshmërisë të administratës publike, Kryebashkiakja Ademi shprehu gatishmërinë personale dhe të administratës së Bashkisë se Shkodres për të qenë pjesë e këtij projekti me një rëndësi të veçantë, jo vetëm për administratën por edhe zhvillimin e qytetit të Shkodrës”, thuhet aty.
Voltana Ademi ishte ndër kryebashkiaket e pakta që u takua me përfaqësuesit e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit. Ajo deklaronte pas atij takimi se u kishte dorëzuar vëzhguesve prova që tregonin sesi i gjithë procesi ishte farsë në Shkodër, ku akuzonte kundërshtarët për mbushje fiktive të kutive të votimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje