Politike

Ambasadori i Rusisë: Tensionet me Shqipërinë janë artificiale, shpresat i kemi te qeveria e re pas 25 prillit

Nga Blerina Goce – Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Rusisë kanë pasur gjithmonë ulje dhe ngritje. Nëse në periudhën e komunizmit marrëdhëniet ruso-shqiptare ishin në kulmin e tyre, ku jemi sot? A po ndikon vaksina ruse kundër Covid-19 në riformësimin e raporteve mes Rusisë dhe vendeve europiane? Ambasadori i Rusisë në Tiranë, Mikhail Afanasiev flet për raportet mes të dy vendeve dhe tensionet e disa muajve më parë, kur të dyja vendet dëbuan diplomatët.

Zoti Ambasador, që në konfrontimin e parë me pandeminë e Covid-19, si pak vende të tjera, Rusia vendosi të zhvillojë vaksinën e vet Sputnik V. Cilat ishin arsyet e këtij vendimi dhe cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e vaksinës Sputnik V?

Në Rusi, që prej kohëve sovjetike, u krijua një shkollë e fortë e virologjisë dhe epidemiologjisë, vendi ynë tradicionalisht ka dhënë një kontribut të madh në luftën kundër sëmundjeve infektive në pjesë të ndryshme të botës. Nga shembujt e fundit mund të sjellim studimet e shkencëtarëve tanë për të luftuar virusin Ebola në Afrikë.

Vendimi për të prodhuar një vaksinë sa më shpejt ishte i natyrshëm. Historikisht jemi mësuar të mbështetemi kryesisht te forcat tona. Përveç kësaj, ekziston një efekt pozitiv i sinergjisë – sa më shumë shkencëtarë të kualifikuar në pjesë të ndryshme të botës të fillojnë punën për krijimin e një preparati, i cili do t’i japë fund epidemisë që ka zënë në befasi të gjithë botën, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne.

Një numër artikujsh në revista shkencore i është kushtuar përparësive të vaksinës “Sputnik-V”, të cilat bazohen në teste klinike të preparatit në vende të ndryshme të botës. Gjëja e parë që vlen të ketë vëmendjen tonë është efikasiteti i saj i lartë i provuar (mbi 91%), numri minimal i efekteve anësore të identifikuara, kushtet e thjeshta të ruajtjes (në një temperaturë prej + 2 gradë deri në +8 gradë) dhe avantazhi i rëndësishëm i tregut –vaksina ka një çmim të ulët, krahasuar me analogët e tjerë.

Ndërkohë që është i njohur fakti i bashkëpunimit të Astrazenecas me Sputnik V, disa vende europiane, të cilat fillimisht refuzuan Astrazeneca-n tani janë shfaqur në favor të Sputnik V. Së fundi edhe Gjermania është treguar e hapur për vaksinën ruse, edhe pse vaksina nuk ka marrë aprovimin e Agjencisë Europiane të Barnave- EMA. A mendoni që përdorimi në masë i Sputnik V nga vendet evropiane, por edhe nga Shqipëria është një hap i përafrimit të Rusisë dhe Europës, një kontribut rus në këtë periudhë të vështirë? Sipas jush, a po reflektohen marrëdhëniet politike mes SHBA, Europës dhe Rusisë në shpërndarjen e vaksinave, që nga AstraZeneca te Sputnik V?

Që nga fillimi Rusia u përpoq të vendoste një bashkëpunim ndërkombëtar në shkallë të gjerë, jo vetëm në krijimin e vaksinave, si të tilla, por edhe sigurimin e tyre për popullatën e planetit, në mënyrë që pandemia të kapërcehet sa më shpejt të jetë e mundur. Ne nisemi nga fakti që bashkëpunimi aktiv ndërkombëtar në luftën kundër pandemisë është një e mirë e përbashkët, një parakusht i domosdoshëm për rimëkëmbjen e ekonomisë botërore dhe kthimin e jetës sonë në një kurs normal. Kjo është arsyeja pse Rusia së fundmi paraqiti një kërkesë për t’u bashkuar si donator në mekanizmin COVAX, në sajë të të cilit shumë vende të varfra të botës, duke përfshirë shtetet e Ballkanit Perëndimor, do të fitojnë akses në marrjen e vaksinave me kushte preferenciale.

Lufta kundër pandemisë, pasojave të katastrofave natyrore, terrorizmit janë fenomene të të njëjtit kallëpi, kur bashkëpunimi ndërshtetëror ngrihet mbi përfitimet dhe preferencat politike momentale. Të gjithë jemi të bashkuar para virusit. Zhvillimi i ngjarjeve ka treguar se politika e egoizmit kombëtar, e cila është shfaqur në disa vende të caktuara në botë, po na çon në një rrugë pa krye. Si rezultat, shumica e vendeve në botë e kuptuan domosdoshmërinë e bashkëpunimit me njëri-tjetrin, në mënyrë që të plotësojnë nevojat e popujve të tyre për vaksina. Aktualisht me 15 prodhues në 10 vende të botës janë nënshkruar kontrata për prodhimin e 1.4 miliardë dozave për të vaksinuar 700 milion njerëz, por kjo nuk mjafton.

Ne nuk ishim iniciatorët e luftës së vaksinave, e cila, për fat të keq, lindi menjëherë, pasi Rusia njoftoi krijimin e vaksinës “Sputnik-V”. Ne nuk synojmë të marrim pjesë në këtë luftë. Rëndësi ka që refuzimi i preparateve ruse kundër kovidit, i cili u demonstrua në fazën fillestare të vaksinimit, gradualisht po zëvendësohet me ndërgjegjësimin për nevojën jo vetëm të bashkëveprimit, por edhe të prodhimit të përbashkët të vaksinave ruse, të cilat, padyshim, kanë vërtetuar efikasitetin e tyre.

Siç e dini, vaksina “Sputnik-V” është regjistruar dhe po përdoret në Serbi, Mal të Zi, Maqedoninë Veriore, Republikën Serbe të Bosnjes, Moldavi. Një numër i shteteve latinoamerikane dhe afrikane, gjithashtu, ka nisur vaksinimin me vaksinën “Sputnik V”. Para disa javësh edhe qeveria e Shqipërisë mori vendimin për lejimin në vend të vaksinave antikovid, të ndryshme nga ato amerikane dhe evropiane, në bazë të të cilit, mesa kuptoj, në vend ka mbërritur në formë dhurate nga Emiratet e Bashkuara Arabe një sasi e vaksinës ruse “Sputnik V” prej 10 mijë dozash.

Meqenëse vaksina ruse aktualisht renditet e dyta në botë për nga numri i vendeve që e kanë miratuar atë, duhet të vendosen në veprim më shumë fuqi prodhuese, në mënyrë që të plotësohen kërkesat e shumta të shfaqura në një periudhë të shkurtër kohore. Që në fillim, pala ruse deklaroi gatishmërinë e saj për bashkëpunim me të gjitha vendet, pa përjashtim, në drejtim të furnizimit dhe prodhimit të vaksinave.

Sa i përket shteteve konkrete evropiane që kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të prodhuar vaksinën “Sputnik-V”, mund të përmend Italinë; gjithashtu, janë arritur marrëveshje me prodhuesit spanjollë e francezë, të cilët janë në pritje të miratimit të vaksinës nga rregullatori evropian. Në Gjermani çështja po shqyrtohet në nivel politik; në Suedi disa kompani farmaceutike kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të negociuar me Fondin Rus të Investimeve Direkte, i cili është organi i autorizuar në vendin tim për prodhimin e vaksinave. Tendencat janë të qarta – Evropa gjithnjë e më shumë po udhëhiqet nga interesat e veta, dhe mendoj se, përmes përpjekjeve të përbashkëta, do të arrijmë qëllimet që i kemi vënë vetes. Aktualisht Fondi Rus i Investimeve Direkte është në dialog me Autoritetin Evropian të Barnave (EMA) për certifikimin zyrtar të vaksinës “Sputnik-V”.

Ambasadori rus dhe Presidenti Meta

Cilat janë marrëdhëniet aktuale midis Rusisë dhe Shqipërisë? Cili ishte shkaku real i tensionimeve të fundit diplomatike mes dy vendeve dhe si mund të tejkalohen ato?

Do të tregohem i sinqertë – marrëdhëniet midis vendeve tona po përjetojnë një periudhë të vështirë. Megjithëse, parakushte objektive për këtë nuk ka: shtetet tona nuk kanë pretendime territoriale ndaj njëri-tjetrit, nuk ekzistojnë midis nesh konflikte apo kontradikta të pazgjidhshme. Ata që i referohen problemit të Kosovës duke e konsideruar atë shkakun e nivelit të ulët të lidhjeve tona, janë duke vepruar me dinakëri. Shqipëria zhvillon në mënyrë mjaft të sukseshme marrëdhënie me një numër shtetesh që nuk e kanë njohur “pavarësinë” e Prishtinës. Vendet tona kanë potencial të madh për zhvillimin e lidhjeve dypalëshe, veçanërisht në fushat e turizmit, transportit, energjisë, bujqësisë dhe tregtisë.

Arsyet e rënies së nivelit të marrëdhënieve tona më duken disi artificiale. Me sa duket, ky është një nga elementët e luftës politike që po zhvillohet jo vetëm midis forcave politike në vetë Shqipëri, por edhe në rajon në tërësi, në të cilin lojtarë të ndryshëm të jashtëm garojnë për të ushtruar ndikim. Shembuj të gjallë, përfshirë ato të vendeve fqinje, tregojnë se kjo gjendje e bashkëpunimit tonë dypalësh nuk është normale.

Ekzistojnë të gjitha parakushtet që bashkëpunimi midis Rusisë dhe Shqipërisë të rritet. Shtetet tona mund të ndërveprojnë dhe dëgjojnë njëri-tjetrin për një sërë problemesh ndërkombëtare,  përfshirë çështjet e sigurisë evropiane, gjë që u konfirmua vitin e kaluar nga vizita e kryeministrit Edi Rama në Moskë, në cilësinë e Kryetarit të Radhës së OSBE-së dhe bisedimet e zhvilluara me Ministrin tonë të Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov. Palët diskutuan një gamë të gjerë problemesh, të cilat mund të ishin objekt i bashkëpunimit midis vendeve tona. U prekën gjithashtu disa çështje të lidhjeve dypalëshe ekonomike, kulturore dhe tregtare. U pranua që një shtysë e rëndësishme për fillimin e rimëkëmbjes së marrëdhënieve të plota midis Shqipërisë dhe Rusisë do të ishte rifillimi i punës së Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, i cili deri në vitin 2009 ka funksionuar në mënyrë shumë efektive dhe aktive. Aktualisht, Komisioni, për fat të keq, ekziston vetëm në letër dhe mbledhjet e tij nuk janë mbajtur. Pikërisht ky organ ndërqeveritar është i autorizuar të merret me zgjidhjen e çështjeve të thellimit dhe zhvillimit të marrëdhënieve tona. Shpresojmë që pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të datës 25 prill dhe formimit të qeverisë së re të Shqipërisë, autoritetet e vendit do të kenë mundësinë të trajtojnë temën e komisionit ndërqeveritar, dhe më pas të mund të kthehemi së bashku në tryezën e bisedimeve dhe të diskutojmë të gjitha çështjet e ngutshme të bashkëpunimit tonë.

Ne kemi besim se Shqipëria do të gjejë te Rusia një partner të besueshëm dhe objektiv, parimi kryesor i politikës së jashtme të të cilit ka qenë dhe mbetet mosndërhyrja në punët e brendshme të shteteve të tjera. Ne nuk i diktojmë askujt si të jetojë dhe nuk japim këshilla, nëse nuk na kërkohet.

Sa i përket propozimit të vaksinës ruse, ajo ekziston në heshtje. Siç e kam thënë shumë herë, Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha shtetet pa ndonjë përjashtim apo kusht, pasi lufta kundër koronavirusit është detyra e përbashkët e njerëzimit. Ne mirëpresim shfaqjen e vaksinës ruse këtu. Është kënaqësi për ne që preparatet ruse të ndihmojnë për të shpëtuar shëndetin dhe jetën e qindra shqiptarëve.

Më gjerë cilat janë marrëdhëniet e Rusisë me Ballkanin Perëndimor, sidomos në dritën e zhvillimeve të pritshme midis Kosovës dhe Serbisë apo dhe asaj çka ndodhi së fundi në Bullgari?

Marrëdhëniet e Rusisë me vendet e Ballkanit Perëndimor janë përgjithësisht pozitive. Nuk mund të përmend as edhe një shtet të vetëm në rajon, me të cilin Rusia nuk do të mbante marrëdhënie normale. Ekziston gjithashtu një grup vendesh dhe entitetesh, me të cilat Rusia ka marrëdhënie të privilegjuara. Këtu përfshihet Serbia, Republika Serbe e Bosnjes. Në tërësi, marrëdhëniet tona me Bosnjen dhe Hercegovinën janë të shkëlqyera, gjithashtu. Bashkëpunimi ekonomik e politik midis Rusisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kroacisë e Sllovenisë po zhvillohet në mënyrë shumë të frytshme. Janë bërë të dukshme rrugët e përmirësimit të marrëdhënieve, të dëmtuara më parë, me Malin e Zi. Në këtë sfond, ne do të dëshironim që situata në rajon të jetë më e qëndrueshme, e parashikueshme dhe e sigurt. Pikërisht, nga ky këndvështrim Rusia mirëpriti rifillimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të çojë në një zgjidhje përfundimtare të problemit të Kosovës.

Qëndrimi i Rusisë është shumë i thjeshtë: baza e zgjidhjes së çështjes së Kosovës ishte dhe mbetet rezoluta përkatëse e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Brenda kornizës së kësaj rezolute duhet të veprojnë të gjithë pjesëmarrësit e procesit të zgjidhjes së këtij problemi. Rusia pranon çdo zgjidhje që do të arrihet nga palët. Nëse zgjidhja do të thotë pavarësi, atëherë Rusia do të njohë pavarësinë e Kosovës. Ne gjithashtu besojmë se vendimi që do të merret si rezultat i dialogut, do të duhet të miratohet nga një rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në mënyrë që ajo të marrë një legjitimitet global dhe çështja e Kosovës të hiqet përgjithmonë nga axhenda ndërkombëtare. Ne nuk shohim ndonjë pengesë tjetër për zgjidhjen e problemit të Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë