Politike

Ambasadori Smith: Britania do të shpallë të tjerë persona non grata

Gazeta Si – Britania e Madhe do të shpallë të tjerë politikanë apo biznesmenë si persona non grata. Lajmin e dha nga Elbasani ambasadori i Britanisë së Madhe, Alastair King Smith, duke e cilësuar si një përpjekje për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.

“Gjatë këtij viti do të ketë aksione të mëtejshme. Gjatë vitit 2023 do të sanksionohen politikanë dhe biznesmenë shqiptarë. Do të ketë të tjerë non-grata për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.

Alastair King Smith. Gazeta Si, 8 shkurt 2023

E kemi bërë të qartë se ne do të marrim masa në lidhje me personat që kanë lidhje me korrupsionin dhe krimininalitetin. Ato ishin të parat dhe do ndërmarrim të tjera masa për pandëshkueshmërinë. Këto vendime janë ndërmarrë edhe për të ndihmuar aksionet e institucionit të drejtësisë”, – tha ambasadori britanik.

Ai bëri të ditur se të enjten do ta vizitojë lordi Stuart Peach, i caktuar si i dërguari i posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin. Ambasadori foli përsëri për emigrantët shqiptarë, duke u bërë thirrje atyre të mos rrezikojnë për të hyrë në Britani ilegalisht, ndërsa tha se për ta Shqipëria është vend i sigurt.

“Jemi shumë të shqetësuar që shumë të rinj po largohen nga Shqipëria dhe që po vendosin të largohen në mënyrë të paligjshme. 30% e emigrantëve që mbërrijnë në Britani në mënyrë të paligjshme janë shqiptarë. Mesazhi ynë për të rinjtë është: Mos shkoni në këtë mënyrë!

Është e trishtueshme sesi po shohim trafikantët që tregojnë sesa i lehtë është udhëtimi, sa e bukur është jeta atje. Por e vërteta është se nuk është ashtu si tregohet nga trafikantët”, – deklaroi ai.

Gjithashtu, ai shprehu shqetësim edhe për numrin e lartë të burgosurve në shtetin e tij, ku pjesa më e madhe u përkasin shqiptarëve. Sa i përket zgjedhjeve lokale të 14 majit, Smith tha se kandidatët për kryebashkiakë duhet të jenë larg korrupsionit dhe krimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë