Politike

Ambasadorja e SHBA në OKB vizitë në Tiranë, takon Ramën dhe i çon Begajt mesazhin e Biden  

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield zhvilloi të hënën takime të veçanta me kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin Bajram Begaj gjatë një vizite në Tiranë.  

Kryeministri Rama vlerësoi vizitën e Ambasadores Linda Thomas-Greenfield, si një moment të rëndësishëm në kuadrin e bashkëpunimit në Këshillin e Sigurimit:

“…Të gjithë jemi shumë të nderuar dhe e vlerësojmë shumë bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit, por edhe faktin që, gjatë gjithë kësaj kohe, jemi vlerësuar për atë çka është reale, jo si partnerë rishtarë dhe jam i sigurt që ky është rezultat edhe i cilësisë së lartë të ambasadorit tonë në Nju Jork dhe ekipit tonë të shkëlqyer atje, si edhe falë gatishmërisë dhe prirjes suaj për t’u siguruar që ne të jemi një vlerë e shtuar. Nëse e kujtoj mirë, ju jeni anëtarja e parë e kabinetit që vini këtu pas disa kohësh që nuk kishim pasur një mik të këtij niveli dhe e vlerësoj shumë këtë. Së fundi në radhë, por jo nga rëndësia, ne e vlerësojmë shumë që kemi një ambasadore amerikane e cila vjen këtu i shton peshë e vlerë ambasadores që e kemi tashmë këtu”, u shpreh Rama.

Nga ana e saj ambasadorja Linda Thomas-Greenfield, vlerësoi partneritetin dhe bashkëpunimin e ndërsjelltë.

“Nuk i mbaj gjithmonë të gjitha premtimet e mia, por përpiqem t’i mbaj premtimet që bëj dhe mora një angazhim personal që të vija në Shqipëri sepse ju keni qenë një partner i jashtëzakonshëm i yni, jo vetëm në Këshillin e Sigurimit. Unë kam pasur përvojën që të punoj në Këshillin e Sigurimit me ambasadorin Hoxha dhe ai ka qenë një partner i jashtëzakonshëm dhe një fqinj i jashtëzakonshëm në Këshill. Ne kemi qenë në të njëjtin mendim dhe në atë Këshill në momentin që ulemi të 15 në ato karrige, të gjithë jemi të barabartë, zërat tanë janë të barabartë dhe zëri juaj në këshill ka qenë tejet i fortë, tejet i respektuar dhe kemi ndarë të njëjtën mendësi dhe kjo ka qenë një nga marrëdhëniet më të rëndësishëm që kam pasur mes 10 anëtarëve të zgjedhur të Këshillit.

Faleminderit shumë që më pritët, faleminderit shumë për partneritetin tuaj, për marrëdhënien tuaj, ndërkohë që përballemi me çështje të një shqetësimi të përbashkët në këtë rajon. Na duhet dëshpërimisht shi për shkak të faktit që energjia hidrike është i vetmi burim i yni por u siguruam që kur të vinit ju të ishte diell.  Ndaj po e bëjmë edhe këtë sakrificë për të mos pasur shi për ju. E vlerësoj këtë dhe natyrisht do të lutem për shi kur të largohem…” , u shpreh ajo gjatë takimit.

Ndërsa Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, gjatë takimit me Përfaqësuesen e SHBA-së në OKB, Ambasadoren Linda Thomas-Greenfield, mori një mesazh falenderimi  nga Presidenti Biden për Shqipërinë

“Si aleatë të NATO-s, kemi punuar së bashku për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë në të gjithë botën”, – shprehet Presidenti Biden në mesazhin e tij.

 Presidenti Biden vlerësoi ndihmën e Shqipërisë për strehimin e refugjatëve ukrainas dhe afganë, si kontribut për një botë më të sigurt.

 “SHBA mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar në mënyrë domethënëse dhe të vazhdueshme Shqipërinë në forcimin e mbrojtjes kibernetike, përfshirë mbështetjen financiare dhe ngritjen e një grupi pune për sigurinë kibernetike”, theksohet në mesazh. 

 Me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, Presidenti Biden nënvizon se në vitet e ardhshme “dëshirojmë që ta thellojmë edhe më tej partneritetin tonë strategjik”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë