Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të organizojnë një kompeticion të ri, në të njëjtën periudhë me Europianin, pas Kupës së Amerikës 2016. Ideja do të diskutohet në këshillin e FIFA-s në muajin mars.
Kalendarit të çmendur të ndeshjeve në vitet në vazhdim pritet t’u shtohet edhe një kompeticion i ri. Iniciativa është e SHBA-ve, që në vitin 2020, kur do të luhet Europiani, duan të organizojnë një turne, që do të bënte bashkë 10 kombëtare të Amerikës së Jugut dhe 6 kombëtaret më të mira të KONKAF-it, pra të Amerikës së Veriut. Sipas asaj që shkruan “New York Times”, presidenti i Federatës Amerikane të Futbollit, Karlos Kordeiro, u ka dërguar një letër presidentëve të 10 federatave të KOMNEBOL-it, duke i ftuar në këtë turne, që do t’i ngjante shumë Kupës së Amerikës së zhvilluar në vitin 2016 në SHBA.

Turneu i Amerikës, nëse miratohet, do të luhej njëkohësisht me Europianin e 2020-ës, që UEFA ka vendosur ta organizojë në vende të ndryshme. Në këtë kompeticion do të jepen rreth 200 milionë dollarë shpërblim, nga të cilat 11 milionë për fituesin. KONKAF-i e ka dhënë tashmë “ok”-in, teksa konfirmon: “Këtë iniciativë e konsiderojmë pozitive. Nuk kemi në plan të zëvendësojmë edicionet e ardhshme të “Gold Cup” (turneut që bashkon kombëtaret e Amerikës së Veriut) me këtë kompeticion, që është në një linjë me idenë tonë për t’u ofruar federatave tona mundësinë për të pasur futboll të nivelit të lartë.” Propozimi amerikan do të diskutohet muajin e ardhshëm në Majemi, në këshillin e FIFA-s të 14-15 marsit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje