Ndeshja ndaj Interit vërtetoi se mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj, nuk është më në planet e Napolit. Futbollisti shkodran po kalon një periudhë të vështirë dhe shpesh e ka parë veten në stol, nga një titullar fiks në formacionin e ish-trajnerit Mauricio Sarri. Edhe të mërkurën në mbrëmje Hysaj ishte në stol, por ajo që bënte habi ishe aktivizimi në vendin e tij i Kalehonit.

Një lëvizje që tregon qartë se trajneri Karlo Ançeloti nuk e llogarit më mbrojtësin e krahut të djathtë, pasi e ka “injoruar” në sfidën me Interin. Në disa ndeshje të mëparshme, “Don Karlo” ka aktivizuar në këtë rol Maksimoviçin, i cili është një mbrojtës dhe nga qendra është spostuar në të djathtë, ndërsa aktivizimi i Kalehonit, një sulmues krahu, i ka vënë kapak çështjes së Hysajt. Shkodrani ka arritur deri në atë pikë sa trajneri i tij nuk kë më aspak besim, përderisa si mbrojtës të djathtë aktivizon një sulmues. Edhe aktivizimi në të majtë të mbrojtjes në ndonjë rast, nuk ka rezultuar i suksesshëm. Futbollisti i kombëtares ka luajtur vetëm në disa ndeshje të konsideruara të lehta në letër.

Zërat e vazhdueshëm për shitjen e Hysajt nga Napoli duket se kanë ndikuar negativisht në rendimentin e tij. Lojtari ka humbur përqendrimin dhe formën, ndoshta edhe ai vetë e ka mendjen më shumë tek ekipi i ri. Opsioni më i mundshëm për Hysajn është Çelsi i Sarrit, trajnerit që e ka lançuar shkodranin në skenën e madhe të futbollit europian. Klauzola e Napolit për Hysajn ka qenë 50 milionë euro, por në këtë moment me siguri kuotat kanë rënë. Për mbrojtësin shqiptar është folur edhe për një kalim të mundshëm tek Atletiko Madrid, por për momentin ka mbetur thjesht një hipotezë.
Destinacioni më i mundshëm i Elseid Hysajt mbetet Çelsi, edhe pse agjenti i shkodranit ka folur shpesh për qëndrimin e klientit të tij te Napoli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje