Futboll

Shpërthen pas Asamblesë së FSHF, Lila: Presidentë, mos u ankoni më!

Pak minuta pas mbylljes së Asamblesë së FSHF-së, që për herë të parë u zhvillua online, ka reaguar kryetari i Sindikatës së Futbollistëve, Andi Lila. Ai ka shprehur keqardhjen për faktin se në asamble nuk ka pasur diskutime për problemet e vërteta të futbollit shqiptar. Për kontratën kolektive të propozuar nga Sindikata e Futbollistëve ai i është drejtuar drejtorit të departamentit juridik, Enkelejd Alibeaj me disa pyetje publike.

Por shpërthimi i Lilës ka qenë edhe ndaj presidentëve, apo drejtuesve të klubeve shqiptare, duke i akuzuar se “bëjnë namin” vetëm në emisione televizive, ndërsa aty ku duhet ngritur zëri, ata votojnë 99% pro.

Reagimi i Andi Lilës
Me keqardhje të thellë ndoqa sot punimet e Asamblesë së FSHF. Kjo jo vetëm për mënyrën e organizimit, por edhe për disa nga vendimet që kjo asamble mori. Më erdhi keq për Kamzën që tani nuk është anëtare e Asamblesë së FSHF dhe rrjedhimisht as stadium nuk duhet te ketë. Më erdhi keq që në asnjë moment në këtë Asamble nuk u përmend se Sindikata e Futbollistëve Shqiptare ka kërkuar nisjen e bisedimeve për kontratën kolektive. Më erdhi shumë keq që as drejtori i departamentit juridik të FSHF z.Alibeaj, megjithëse ka një kopje të kontratës kolektive nuk tha asnjë fjalë për të. Sot kam disa pyetje për ju Z.Alibeaj: Këto ndryshime që ju propozuat dhe Asambleja i miratoi, kujt i shërbejnë? Përfaqësuesit e Futbollistëve në këto komisione përsëri FSHF-ja do t’i caktojë. Z.Alibeaj, si jurist me eksperiencë që jeni, a mund të më thoni, edhe publikisht, se kontrata kolektive e propozuar nga ana e Sindikatës a është në të mirë të futbollit apo e dëmton atë. Z.Alibeaj, ju që vini nga radhët e te persekutuarve, a mund të më thoni se cilët janë më të persekutuarit në futbollin Shqiptar.
Më erdhi shumë keq që në asamblenë e FSHF ku duhet të qahen edhe hallet e futbollit asnjë nga klubet nuk flet ndërsa në studio televizive bëjnë namin. Të nderuar presidentë dhe përfaqësues të klubeve, nëse nuk diskutuat sot për vështirësitë reale financiare që po kaloni, për penalizimet që keni marrë nga arbitrat, për reformën ekonomike në sport e cila ka ngecur apo për privatizimin e klubeve në varësi të bashkive, të cilat janë hallet e vërteta të futbollit, atëherë nuk keni të drejtën morale të ankoheni as në studio televizive dhe as në qeveri. Dhe gjëja e fundit, për të cilën më erdhi keq ishte fakti se gjithmonë votuan pro 99.99% e anëtarëve të asamblesë. Më vjen shumë keq ta besoj se asambleja e FSHF do të ketë votim real vetëm kur zgjidhjet presidenti dhe Komiteti Ekzekutiv i FSHF, votim për interes individual. Ndërsa kur votohet për futbollin, votohet sikur në Shqipëri futbolli nuk ka asnjë problem. Andi Lila


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë