Andrea Pirlo është gati të kthehet në botën e futbollit dhe këtë gjë ka vendosur ta bëjë me ngjyrat bardhezi. Ish-mesfushori i Italisë, Milanit dhe Juaventusit, i quajtur “El Maestro”, në korrik do të marrë detyrën e trajnerit të Juventusit U-23, që aktualisht stërvitet nga Fabio Pekia. Duhen edhe 4 muaj.
Sipas “La Stampa”, akordi mes palëve është arritur, duke konfirmuar atë që vetë Andrea Pirlo ka deklaruar vetëm pak muaj më parë: “Kam filluar të mendoj për t’u bërë trajner, falë Kontes. Do të filloj punën në korrik dhe po e pres me shumë dëshirë aventurën e re”.
Ish-futbollisti i shquar ka marrë gjithë kohën e nevojshme për të mësuar atë çka i duhet për të stërvitur Juventusin U-23, ku bën pjesë edhe sulmuesi kuqezi, Xhakomo Vrioni, i cili do të ketë fatin të drejtohet nga një nga figurat më të mëdha të futbollit italian.
Pirlo u tërhoq nga futbolli i luajtur në nëntor të 2017-ës, ndërsa licencën UEFA A e ka marrë në shtator të 2018-ës. Së fundi ka qenë opinionist televiziv, por nga 2020-a do të kthehet të “flasë” në fushë me një rol aktiv, edhe pse nga stoli. Ka nga ata që vënë bast që tani se do të ecë në gjurmët e Guardiolës dhe Zidan, të cilët e kanë nisur nga Barcelona B dhe Real Madrid Kastila.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje