Politike

Angjeli dhe Mesi kandidatë për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Ish-zv.kryeministrja Senida Mesi dhe ish-deputeti e ish-ministri i Financave, Anastas Angjeli janë mes kandidaturave për një nga dy vendet e mbetura bosh në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Afatet për dorëzimin e kandidaturave për këto dy vakanca kanë përfunduar dhe Komisioni për Ekonominë dhe Financat në Kuvend ka shpallur listën me 17 emra që do të marrë në shqyrtim javën e ardhshme.

Lista përbëhet nga Marta Muço, Diana Dervishi, Durim Kraja, Onorita Jata, Emis Çerava, Indrit Banka, Mateo Spaho, Edvin Libohova, Artur Mamadhaj, Altin Hoti, Blendi Sema, Manuela Tandini, Rezarta Bitri, Elvin Meka, Senida Mesi, Anastas Angjeli dhe Natasha Ahmetaj.

Kriteret bazë që duhet të plotësojnë kandidatë për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës janë arsimi i lartë me profil ekonomik, ose juridik, përvoja profesionale në çështje financiare dhe bankare, kualifikime profesionale të profilit dhe një përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike, ose në institucionet financiare dhe bankare.

Lista e kandidatëve u është vendosur në dispozicion deputetëve dhe grupeve parlamentare. Pas kësaj faze mbahet dëgjesë publike me kandidadët që plotësojnë kriteret ligjore. Pas dëgjesës publike, deputetët përzgjedhin kandidatë që do t’i paraqiten Kuvendit për votim. Për t’iu propozuar Kuvendit në votim, një kandidat duhet të marrë mbështetjen e të paktën 28 deputetëve.

Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi me një mandat 7-vjeçar dhe me të drejtë rizgjedhjeje. Pesë anëtarë propozohen nga vetë Kuvendi, tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë