Futboll

Anglezët do largohen direkt pas ndeshjes, Rashford dhe Saka mungojnë në Tiranë

Vetëm 24 orë do të qëndrojë skuadra kombëtare e Anglisë në Tiranë, ku të dielën, në orën 18:00, do të ndeshet me kuqezinjtë për eliminatoret e Botërorit të Katarit. Anglezët do të mbërrijnë në Shqipëri rreth orës 19:00 dhe do t’i drejtohen direkt “Air Albania Stadium” për të zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore për t’u njohur me fushën.

Konferenca për shtyp e trajnerit Southgejt është parashikuar të zhvillohet online, për të shmangur kontaktet fizike në këtë kohë pandemie. Pasi të përfundojë ndeshja e së dielës, Anglia do të shkojë menjëherë në aeroport për të nisur fluturimin e kthimit.

Anglia në stërvitje. Gazeta Si, 26 mars 2021

Në Tiranë do të mungojnë dy nga lojtarët më të talentuar të listës së shpallur pak ditë më parë nga trajneri Southgejt, sulmuesit Markus Rashfor dhe Bukajo Saka, i pari aktivizohet me Mançester Junajtid, kurse i dyti me Arsenalin. Që të dy janë të dëmtuar dhe nuk kanë mundur të riaftësohen në kohë për ndeshjen me Shqipërinë.

Mungesa të rëndësishme, që i shtohen asaj të Trent Aleksander-Arnold, i lënë jashtë liste këtë herë nga tekniku anglez. Anglia ka një kontigjent të pasur lojtarësh me kualitet dhe mund të zëvendësojë çdo mungesë, por fakti që një sulmues si Rashford nuk do të jetë, është një plus për mbrojtjen kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë