Shumica e qytetarëv mendojnë se personat e shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe duhet të ndalohen përmes ligjit të dekriminalizimit nga e drejta për t’u zgjedhur.
Ky është rezultati i një ankete të zhvilluar nga Instituti për Studime Politike, që ka publikuar raportin “Dekriminalizimi, perceptimi qytetar 2022”.
Sipas rezultateve të kësaj ankete, mbi 23 për qind e qytetarëve mendojnë se non gratat duhet të reflektohen në legjislacionin shqiptar nga Kuvendi, por çuditërisht, të pyetur mbi politikanë të veçantë, mbi 29 për qind e tyre mendojnë që nuk duhen trajtuar nga dekriminalizimi.
Në lidhje me zbatimin e dekriminalizimit deri më tani, më shumë se dy të tretat e qytetarëve mendojnë se personat e inkriminuar, të larguar nga ky ligj, vijojnë të kenë ndikim direkt, ose indirekt në politikë dhe në vendimmarrje.
Një në tre shqiptarë ka humbur besimin tek dekriminalizimi, por pjesa tjetër e shikon bilancin pozitiv, madje një në tre shqiptarë kërkon që standardi i dekriminalizimit duhet të jetë i përhershëm, që sipas ISP është një tregues mosbesimi tek mekanizmi i promovimit dhe emërimeve në politikë dhe në vendimmarrje.
Rreth 84 për qind e qytetarëve të pyetur mendojnë se lidhjet personale politike, roli i tyre në fushatën politike, korrupsioni i lartë dhe sistemi klientelist i karrierës janë arsyet kryesore që personat e inkriminuar marrin postet politike e zyrtare. Interesante gjetja se në perceptimin publik individët e inkriminuar nuk duan poste politike dhe zyrtare për pasurim financiar, por për të fituar imunitet e status social, pra për të legalizuar pasurinë, ndikimin, biografinë e tyre e deri për të shmangur drejtësinë.
Rreth 90 për qind e qytetarëve kanë interes tek dekriminalizimi, duke e shndërruar atë në standardin me pritshmërinë më të lartë publike në Shqipëri.
“Shprehja e lartë e interesit është edhe tregues i nivelit shqetësues të inkriminimit dhe të pasojave të tij në jetën politike dhe publike”, thotë ISP.
Në fund të raportit, ISP jep një sërë rekomandimesh për Kuvendin, mes të cilave edhe njëri që ka të bëjë me dekriminalizimin.
“Kuvendi mund e duhet të bëjë ndryshime në formularin e dekriminalizimit për të përfshirë elementë që lidhen me listën e sanksioneve ekonomike amerikane, britanike e të BE, si dhe konceptet e shpalljes non grata si standard etik e moral në përfaqësimin politik e publik”, rekomandon ISP.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje