Politike

Anti-KÇK, Paloka i drejton 3 pyetje Ramës dhe Lleshajt

Partia Demokratike reagoi sërish ndaj aksioneve të policisë si pjesë e zbatimit të ligjit të ashtuquajtur Anti KÇK. Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka në një dalje për mediat iu drejtua kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Sandër Lleshaj, duke i bërë tre pyetje konkrete mbi mënyrën se si po zbatohej ky ligj.

“Edi Rama, Sandër Lleshaj dhe Ardi Veliu duhet t’u përgjigjen disa  pyetjeve:  A e ka përfshirë policia vëllain trafikant droge të Fatmir Xhafës në listën e personave që do t’u verifikohet pasuria?  Pse është i paprekshëm Saimir Tahiri, subjekt direkt i ligjit antiKÇK? Kush e pengon policinë të zbatojë ligjin njësoj për të gjithë dhe të verifikojë pasuritë e miqve të dënuar si trafikantë droge të Olsi Ramës dhe Taulant Ballës?”, deklaroi Paloka.

Numri dy i PD-së, deklaroi se gjatë qeverisjes së Edi Ramës, jo vetëm nuk u prek dhe nuk u sekuestrua pasuria e asnjë trafikanti droge, të lidhur me pushtetin, por ata morën pasuri publike, miliona euro tendera dhe koncesione.

“Agron Xhafaj është i paprekshëm nga ligji, sepse ai dhe vëllai i tij deputet i Partisë Socialiste, i shërbejnë pushtetit kriminal të Edi Ramës. Është provuar se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, shkeli çdo ligj për të mbrojtur 2 vjet më parë Agron Xhafën, i kapur sërish në flagrancë si trafikant droge. Ardi Veliu, i cili sot kaloi vetingun politik në polici, u komandua në detyrë në shkelje të ligjit si ushtar i trafikantit të drogës Agron Xhafaj.  48 orë janë të mjaftueshme për të sqaruar opinionin publik, i cili, në çdo sondazh shprehet në shumicë dërrmuese se nuk i beson qeverisë së Edi Ramës as për të luftuar krimin, as për të luftuar korrupsionin dhe për të rimëkëmbur ekonominë e vendit”, tha më tej Paloka. Për opozitën ligjin Anti KÇK do të dështojë ashtu si pati sipas tyre të  njëjtin fat si me ligjin Antimafia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë