Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur sërish paketën anti-KÇK, duke shënjestruar këtë herë jo vetëm Partinë Demokratike se po rreshtohet në krah të krimit, por edhe analistët dhe komentatorët.
“Jo vetëm PD po edhe plot të ashtuquajtur analistë e komentatorë po i kundërvihen antiKÇK-së, në një përçartje kolektive brenda kutisë së televizorit, sepse për ta krimi është ushqimi i politikës e audiencave së tyre kundër qeverisë dhe mes krimit e qeverisë ata zgjedhin krimin”, deklaron Kryeministri përmes një serie postimesh në rrjetet sociale.
Rama është i bindur se “Anti-KÇK-ja është reagimi i duhur në kohën e duhur dhe koha do t’i japë të drejtë.
“AntiKÇK është reagimi i duhur në kohën e duhur,kur puna e sakrificat e policisë poshtërohen nga prokurorë&gjykatës të korruptuar,të cilët janë partnerë të krimit jo nuk dënojnë, po lirojnë vrasës e trafikantë të dënuar dhe punojnë të kapin ç’të kapin para se t’i fshijë Vetingu”, vijon ai.
Sa i takon ligjit special për pasuritë e krimit të organizuar, Kryeministri deklaron se është frymëzuar nga dashuria për vendin.
“Nga dashuria për këtë vend dhe vullneti i hekurt për të shkatërruar burimet financiare të krimit, duke marrë shembull nga historitë e suksesit të vendeve si Italia e Britania e Madhe, që me ligjet speciale goditën në zemër mafian apo terrorizmin. Koha do të provojë përsëri edhe njëherë se dashuria për vendin, vullneti për ta bërë shtet modern Shqipërinë, vendosmëria për t’i rënë me kokë mureve të vjetra, do të fitojnë mbi hipokritët, dembelët e parazitët që jetojnë me llafe, gënjeshtra e broçkulla duke helmuar shqiptarët!”, thotë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje