Politike

500 mln lekë të Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat shkojnë për luftën kundër Covid-19

Qeveria nuk ka publikuar asnjë dokument, apo deklaratë zyrtare, por sipas asaj që thotë ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, dy projektet e dhëna sipas skemës partneritet publik-privat, për ndërtimin e rrugëve Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat janë anuluar dhe fondet e parashikuara sipas kontratave përkatëse do të kalojnë për të përballuar situatën e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Ministrja e bëri këtë deklaratë gjatë një interviste për Report TV. Ajo saktësoi se nuk bëhet fjalë për heqje dorë të Qeverisë nga dy investimet që i konsideron madhore në infrastrukturë, por tërheqje nga dy kontratat dhe projektet që ishin shpallur fituese.

“Që të dyja PPP nuk është se nuk do të nisin. Janë anuluar le të themi, pra nuk do të vazhdojnë më këto projekte, për shkak të situatës së krijuar, duke i dhënë të gjithë hapësirën fiskale që ka qenë e planifikuar për këto dy projekte në dispozicion për të nevojave që kanë lindur për shkak të situatës nga COVID-19”, deklaroi Balluku.

Dy koncesionet janë kritikuar fort nga ana e Partisë Demokratike, që në këto ditë të pandemisë i ka bërë thirrje Qeverisë që të anulojë kontratat koncesionare dhe PPP-të, sipas opozitës korruptive dhe klienteliste për oligarkët dhe paratë e destinuara për këto projekte të shpërndahen për qytetarët dhe për biznesin në vështirësi.

Vlera total e dy projekteve përllogaritet të paktën 307 milionë euro, 256 mln euro Milot-Balldre dhe 51 mln euro Orikum-Dukat. Por kjo nuk do të thotë se Qeveria me anulimin të këtyre dy projekteve ka në dispozicion të saj 307 mln euro për t’i përdorur në luftën kundër koronavirusit.

Të dy veprat janë pjesë e programit “1 miliard euro investime” dhe do të ndërtohen fillimisht me paratë e kompanive private, ndërsa buxheti i shtetit do të shlyejë shumën e investuar në vite, ndërsa kompanitë kishin detyrimin që të përmbyllnin rrugët sipas afateve dhe kushteve teknike të vendosura në këto kontrata.

Në buxhetin 2020, për dy kontratat koncesionare shteti do të paguante rreth 500 mln lek. 100 mln lek vetëm për shërbime konsulence për projektimin, ndërtimin dhe operimin e rrugës Milot–Balldre, ndërsa pjesa tjetër, rreth 400 mln lek do të shkonin me dy këste për Orikum-Dukat. Kësti i parë për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen të rrugës në vlerën e 314 milionë lekëve dhe tjetri për shërbime konsulence të pavarura për zbatimin e kontratës në vlerën e 80 milionë lekëve.

Tani, sipas deklaratës së ministres Balluku, 500 milionë lekët e parashikuara për 2020 për këto dy projekte do të duhet të transferohen në zërin e luftës kundër pandemisë.

Opozita ka akuzuar se dy projektet janë dhënë me kosto të fryra, korruptive e madje do të përdoren edhe për pastrimin e parave të drogës. Por, mazhoranca i ka mbrojtur dy PPP-të në fjalë me pamundësinë e financimit nga buxheti shtetëror i tyre.

“PPP-të, apo koncesionet nuk janë metoda kriminale të shpikura nga mafia, jo skema abuzive për përfitime në kurriz të popullit, por janë skema që të bëjnë të mundur në një kohë të shkurtër rritjen e cilësisë së shërbimit për publikun që me kapacitetet e tij shteti nuk i bën dot”, deklaronte në maj të vitit të kaluar nga foltorja e Kuvendit Kryeministri Edi Rama.

Ministrja Balluku nuk përmendi asnjë shifër dhe mbetet e paqartë se sa është shuma e parashikuar nga buxheti i shtetit për këto dy PPP për këtë vit, ndërkohë që si në rrugën Milot-Balldre, ashtu edhe në rrugën Orikum-Dukat punimet nuk kanë nisur ende.

Milionat e dy PPP-ve

Projekti i rrugës Milot-Balldre u miratua nga parlamenti sipas një kontrate koncesionare në korrik të 2019, pas një oferte të pakërkuar nga kompania “ANK”. Në tetor të 2018, kjo kompani u shpall fituese në tenderin e hedhur.

Sipas kontratës së miratuar me ligj në Kuvend, rruga me një gjatësi totale prej 17.2 kilometra do të kushtonte 256 milionë euro, ose rreth 15 milionë euro për kilometër.

Ndërkohë, për tenderin e Orikum-Dukat, 14 kilometra të gjatë u shpall fituese kompania “Gjikuria”. Nga pasqyrat financiare ndër vite, të dyja kompanitë e shpallura fituese nuk janë në gjendje që të financojnë me paratë e tyre projektet në fjalë dhe për këtë, përfaqësues të dy kompanive deklaruan nëpër media se do t’u drejtoheshin bankave për kredi.

Por, asnjëra prej kompanive nuk ka arritur që të sigurojë financimin, pas refuzimit të bankave për të kredituar dy projektet, që si arsye besohet se qëndron pamundësia financiare e dy kompanive, që kanë të ardhura shumë herë më të vogla sesa vlera e dy projekteve që kanë fituar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë