Rusia ka fajësuar Perëndimin pasi Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka anuluar vizitën në Serbi, meqë shtetet përreth kanë mbyllur hapësirën ajrore për aeroplanin e tij.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e ka konsideruar vendimin “një tjetër kanal të mbyllur të komunikimit”, në disa komente që janë përcjellë nga agjencitë ruse të lajmeve.
Mediat në Serbi kanë raportuar se Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë mbyllur hapësirat ajrore për aeroplanin e kryediplomatit rus.
Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë të dielën se Maqedonia e Veriut ka refuzuar kërkesën e Ambasadës së Federatës Ruse për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të këtij shteti për fluturimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus, i cili ka paralajmëruar se do të vizitojë Beogradin të hënën.
Kërkesa e Ambasadës Ruse është bërë pavarësisht se Maqedonia e Veriut më 28 shkurt ka vendosur sanksione ajrore ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.
Presidenca e Serbisë ka bërë të ditur se në vend të takimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me Lavrovin, lideri serb do të takohet të hënën me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan Harchenko.
Takimi ka nisur në orën 10:00.
Serbia, vend që ka lidhje të ngushta kulturore me Rusinë, e ka përballuar presionin për të marrë qëndrimin për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Moskës.
Serbia është krejtësisht e varur nga nafta dhe gazi rus.
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq janë pajtuar muajin e kaluar që Rusia të vazhdojë të dërgojë gaz natyror në Serbi, derisa disa shteteve u është bllokuar furnizimi për shkak se kanë refuzuar të paguajnë në rubla ruse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje