Politike

Apeli i Metës për Ramën: 30 Korriku duhet të anulohet

Nga 30 korriku, afat kur mazhoranca me do deputetë të opozitës parlamentare do miratojnë ndryshimet kushtetuese, nuk ka mbetur shumë.

Prandaj dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, apelon për reflektim.

Në një postim të gjatë në Facebook, Meta shkruan se 30 korriku duhet të anulohet. Sipas tij, nuk është koha për të përsëritur ato gabime që në të kaluarën kanë dëmtuar Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Dialogu politik, gjithëpërfshirës dhe i hapur, mes partive politike për të gjitha çështjet që prekin zgjedhjet, është e vetmja rrugë që e afron Shqipërinë me Bashkimin Europian dhe e bën Reformën Zgjedhore në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR, siç ka kërkuar Këshilli Europian në 15 kushtet e vendosura për hapjen e negociatave.

Ruajtja e frymës dhe rezultateve të marrëveshjes së 5 Qershorit ka shumë rëndësi për hapjen e negociatave. Këmbëngulja për t’i qëndruar me kokëfortësi datës 30 Korrik, që është vendosur pa pasur ndonjë objektiv konkret, e dëmton stabilitetin dhe rrugën europiane të Shqipërisë”, shkruan Meta.

Shqipëria, sipas tij, nuk duhet ta humbë momentin historik për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE “nga kokëfortësia për të ndryshuar rregullat zgjedhore në mënyrë të njëanshme”.

“Kokëfortësia nuk ofron zgjidhje dhe nuk është në interes të Shqipërisë.

I bëj thirrje Partisë Socialiste, si forcë politike me kontribute në procesin e integrimit, që të heqë dorë nga ndryshimi i njëanshëm dhe pa gjithëpërfshirje i Kushtetutës.

Është koha të tregojë maturinë që e ka karakterizuar në të shkuarën dhe të vendosë të parin interesin e Shqipërisë.

Data 30 Korrik nuk është e lidhur me asnjë interes të Shqipërisë. 30 Korriku duhet të anulohet, për t’i hapur rrugë një procesi gjithpërfshirës dhe konsensual të reformimit të rregullave zgjedhore”, shkruan ai.

“Në tre dekada pluralizëm, – vijon Meta, – Partia Socialiste, meritën më pozitive ka lidershipin që tregoi për bërjen e vendit me Kushtetutë moderne përmes një procesi gjithëpërfshirës që u finalizua me Referendum Popullor, edhe pse atë kohë kishte mbi 2/3 e Kuvendit.

Nuk dëshiroj të ndalem sot në të gjitha arsyet përse Kuvendi i sotëm është jashtë çdo standardi për të prekur Kushtetutën, pasi këto i ka bërë të qarta edhe Komisioni i Venecias, por në kushtet kur po vdesin qytetarë dhe përmasat e pandemisë COVID-19 po bëhen kërcënuese, çdo dhunim i Kushtetutës do ngarkojë me përgjegjësi historike të gjithë ata që do provokojnë rendin kushtetues në vend, në themel të të cilit janë pluralizmi politik dhe zgjedhjet e lira e të ndershme”.

Meta i bëri thirrje Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar, që në emër të integrimit europian, të vazhdojë me këmbëngulje dhe pa u tërhequr, përpjekjet për arritjen e një produkti konsensual.

“Hapi i hedhur të premten, nëpërmjet një propozimi për konsensus, duhet të jetë rruga për të ecur përpara, me qëllim gjetjen e pikave që i bashkojnë palët.

Historia ka treguar se aktet e njëanshme dhe të nxituara, kokëfortësia, interesi momental politik, mungesa e kulturës së konsensusit dhe dialogut mes palëve, kanë dëmtuar Shqipërinë dhe shqiptarët për një kohë të gjatë. Ky gabim nuk duhet të përsëritet”, shkruan ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë