Lajme

Apeli i PE: Duhet unitet politik për integrimin në BE, jo dhunë

Shefi i delegacionit të Parlamentit Europian në Tiranë, Tunne Kelam, është shprehur se është i interesuar që Shqipëria të hapë zyrtarisht negociatat dhe shpreson në këtë. Në konferencën për mediat, pas takimeve me të gjitha palët, ai ka bërë thirrje për bashkëpunim të brendshëm duke e konsideruar jetik.
“Të gjitha problemet mund të zgjidhen brenda BE, mund të stabilizohen në kuadrin e BE, dhe më lejoni që të them se është e rëndësishme që të mos ketë asnjë lloj vonese. Ne jemi po aq të interesuar që të mirëpresim Shqipërinë në BE, aq sa dhe ju e doni.
Ju keni bërë progres domethënës, patjetër që ka ende për të bërë. Vëmendja jonë kryesore shkon në reformën në drejtësi, edhe pse po shkon mirë, por është e rëndësishme edhe zbatimi i ligjeve.
Sinjali më i keq që mund të japë Shqipëria, është që ka ndasi dramatike dhe mungesë strategjie politike për këtë objektiv. Kërkohet unitet politik, duhej tejkaluar ndasitë partiake”, tha ndër të tjera ai.
Për protestat, Kelam tha se është absolutisht kundër dhunës, si një mënyrë jo demokratike për zgjidhjen e problemeve, e po ashtu kundër nxitësve politikë të dhunës.
“Sa u përket protestave para parlamentit dhe qeverisë, ne jemi absolutisht kundër që këto të kthehen në të dhunshme dhe jemi kundër nxitjes së dhunës nga partitë politike. Pasi jemi takuar me shumë përfaqësues të shoqërisë civile, përfundimi ynë është që Shqipëria ka shumë nevojë për hapësirë për shoqëri civile dhe se këto organizata kanë nevojë të kenë akses”, tha ai.
Po ashtu, eurodeputeti nuk ka anashkaluar edhe studentët, që i ka cilësuar si e ardhmja e vendit. Sipas tij, qeveria shqiptare duhet të dëgjojë zërin e tyre.
“Një tjetër gjë është se e ardhmja e vendit është rinia, dhe për këtë duhet të shmangen idetë për t’u larguar nga vendi. Zëri i tyre duhet të dëgjohet nga qeveria. Të merret parasysh pozicioni i studentëve dhe t’u ofrohet ndonjë perspektivë”, përfundoi ai.
Delegacioni i PE-së në këtë vizitë dyditore ka pasur takime të veçanta me kryeministrin Edi Rama, ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, kreun e PD-së Lulzim Basha, kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kryetarët e partive të tjera opozitare. Mëngjesin e sotëm delegacioni i Parlamentit Europian ka takuar kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë