Rend dhe Ligj

Apeli e shtyn vendimin për ish-ministrin Tahiri

Gjykata e Posaçme e Apelit shtyn vendimin për ish-ministrin Tahiri. Vendimi do të shpallet të premten më 26 qershor në orën 10:00.

Këtë të mërkurë, Gjykata e Posaçme e Apelit u fut në dhomën e shpalljes së vendimit, menjëherë sapo në seancë u prezantua edhe njëherë trupa gjyqësore.

Siç bënë me dije burime të gazetës Si, pasi palët deklaruan se nuk kanë asnjë kundërshtim për anëtarin më të ri Dhimitër Larën, trupa ka deklaruar tërheqje për vazhdimin e gjykimit.

Për këtë shkak salla u boshatis dhe anëtarët e trupës gjyqësore mësohet të kenë hyrë në dhomë këshillimi. Ndërkohë që Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm së bashku me avokatin mbrojtës po qëndrojnë në holl. Seanca gjyqësore e njoftuar për t’u zhvilluar në orën 9.30 u mbajt vetëm në praninë e palëve, përfshi edhe dy prokurorët e SPAK. Ndërkohë që media nuk u lejua, pasi Gjykata e Posaçme ka mbyllur dyert për publikun për shkak të masave anti-Covid. Javën e kaluar trupa gjyqësore në Apel mbeti me dy gjyqtaret Nertina Kosova dhe Albana Boksi, pasi e treta Nure Dreni u shkarkua nga vettingu. Kjo solli hedhje të shortit që në fund zgjodhi Dhimitër Larën. 

Rreth 6 muaj më parë, Jaeld Cela dhe ish-ministri Saimir Tahiri u shpallën fajtor nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për shpërdorim detyre, ndërkohë që prokuroria kërkoi dënimin për akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Për Saimir Tahirin dënimi i Shkallës së Parë u konvertua në 3.5 vite ne shërbim prove, ndërsa Jaeld Çela u dënua me 5 vite burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë