Gjykata e Apelit në Durrës rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë, e cila më 7 korrik refuzoi kërkesën e Valbona Sakos për t’i vërtetuar mandatin si kryetare e re e bashkisë e dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.
Në të vërtetë, vendimi i Apelit është vetëm një fitore morale për Sakon, pasi mandatin ajo e mori pas një vendimi të marrë dy ditë më vonë po nga gjykata e Shkallës së Parë, që shqyrtoi këtë herë kërkesën e paraqitur nga Partia Socialiste, jo nga vetë kandidatja.
Në vendimin e dytë, Shkalla e Parë e Durrësit tha se nuk bëhej fjalë për të njëjtën kërkesë, si në rastin kur kësaj gjykate iu drejtua vetë Valbona Sako dhe gjyqtari Shpëtim Reka ja njohu mandatin e kryebashkiakes me një vendim të formës së prerë. Në shkallën e parë Sako u refuzua nga gjyqtarja Mimoza Margjeka me arsyetimin se zgjedhjet ishin të paligjshme, pasi partia Bindja Demokratike ishte regjistruar në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.
Kodi Zgjedhor përcakton se zgjedhjet vlerësohen si të paligjshme në ato zona ku një subjekt politik ose jo është regjistruar në kundërshtim me parashikimet e këtij kodi dhe Durrësi ishte një prej bashkive ku Bindja Demokratike ishte regjistruar me kandidatë për kryetarë bashkie.
Përveç refuzimit për t’i njohur mandatin, në vendimin e datës 7 korrik Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës urdhëroi nisjen e një hetimi për regjistrimin e Bindjes Demokratike. Valbona Sako dhe juristët e Partisë Socialiste apeluan vendimin e parë, që e cilësoi antiligjor dhe cenim të mandatit.
Mbrojtja tha se gjykata e Shkallës së Parë nuk ka patur kompetencë për të vendosur mbi procesin zgjedhor dhe kërkoi prishjen e vendimit të marrë prej saj. Sako akuzonte se me këtë vendim gjykata ka shkelur ligjin duke u shprehur për procesin zgjedhor, që nuk ishte objekt i kërkesës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje