Në stadiumet shqiptare është rikthyer dhuna, edhe pse luhet pa tifozë. Në stadiumin e Delvinës, që merr pjesë në Kategorinë e Dytë, është goditur me gur në kokë arbitri anësor Elis Pulaj, i cili është transportuar për në spitalin e Sarandës, ku ka marrë ndihmën mjekësore.
Sipas “Panorama Sport”, ndeshja Delvina-Albpetroli është ndërprerë, pas goditjes me gur të arbitrit Pulaj. Edhe vetë klubi delvinjot e ka pranuar incidentin në faqen e tij në Facebook, duke e quajtur “të çmendur” autorin e ngjarjes.

Pak minuta më pas ka rdhur edhe reagimi i policisë së Delvinës, ku shkruhet: Gjatë ndeshjes së Futbollit, Delvina-Alpetrol të zhvilluar sot në orën 13:30, në stadiumin “Panajot Pano”, Delvinë, një shtetas i ndodhur jashtë stadiumit, ka goditur me gurë, në drejtim të njërit prej asistentëve të arbitrit.
Si pasojë shtetasi E. P, është dëmtuar në kokë dhe është transportuar në Spitalin e Sarandës, jashtë rrezikut për jetën. Policia ka bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes, shtetasin A. H, cili është larguar menjëherë nga vendngjarja. Policia ka rrethuar zonën dhe vijon krehja për kapjen e autorit.
Reagimi i FSHF-së
Federata Shqiptare e Futbollit dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit Elis Pulaj gjatë ndeshjes Delvina-Albpetroli, e vlefshme për javën e 7-të të Kategorisë së Dytë, Grupi B. Njëkohësisht, Federata e Futbollit kërkon nga organet ligjzbatuese që të marrin masa të forta për të ndalur aktet e dhunshme, që prishin imazhin e futbollit. Gjithashtu, u bëjmë thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që veprojnë sa më parë për të ndaluar shkaktarët e dhunës dhe t’i vënë ata para drejtësisë.
Sakaq, Federata Shqiptare e Futbollit do të caktojë një inspektor disipline për të kryer një hetim disiplinor në lidhje me incidentin dhe dhunën ndaj gjyqtarit. Është e papranueshme që futbolli të penalizohet për shkak të disa individëve të dhunshëm e të papërgjegjshëm. Federata e konsideron të rëndë ngjarjen e ndodhur në Delvinë e që nuk ka asnjë lidhje me lojën e futbollit dhe frymën e “Fair Play”. Së fundmi kërkojmë nga sportdashësit, që të distancohen nga veprime të tilla të dhunshme, që nuk kanë asnjë lidhje me lojën e bukur të futbollit, por vetëm e dëmtojnë atë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje