Polemikat nuk janë shuar, përkundrazi, janë ndezur më shumë pas veprimit të fundit të arbitrit holandez Dani Makkeli, i cili nuk akordoi golin e Kristiano Ronaldos në Beograd, gol që do t’i jepte fitoren Portugalisë. Arbitri ka kërkuar ndjesë për atë gafë dhe kjo gjë e ka shtuar edhe më shumë irritimin e palës së prekur.
Në minutën e 94-t të ndeshjes Serbi-Portugali, që përfundoi me rezultatin 2-2, Ronaldo shënoi, por arbitrat nuk e panë që topi e kaloi vijën. Në këto ndeshje nuk ka VAR dhe pas vërshëllimës përfundimtare të holandezit, Ronaldo hodhi në tokë shiritin e kapitenit dhe doli i tërbuar nga fusha.

I kontaktuar nga e përditshmja “A Bola”, arbitri Makkeli e shpjegoi kështu atë çfarë ndodhi: “Sipas asaj që është politikë e FIFA-s, e vetmja gjë që mund të them është se i kam kërkuar falje trajnerit Fernando Santos dhe kombëtares portugeze për atë që ndodhi. Ne arbitrat punojmë gjithmonë fort për të marrë vendimet e duhura dhe nuk jemi aspak të kënaqur kur jemi protagonistë të episodeve të tilla”.
Kristiano Ronaldo ndërkohë rrezikon shumë të pezullohet për hedhjen e shiritit të kapitenit, protestat dhe lënien e fushës. FIFA mund të marrë masa ndaj tij. Sipas “Iusport”, reagimi i egër i portugezit është i ndëshkueshëm. Veprimet e Ronaldos interpretohen si shkelje e artikullit 11 të kodit të disiplinës së FIFA-s, që atë lloj sjelljeje e konsideron “sulm dhe dhunim të principeve të fair-play-it”. Statuti i FIFA-s thotë qartë se të gjithë duhet të respektojnë rregullat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje