Më 12 qershor, përmes një editoriali Gazeta “Si” ngrinte pyetjen “A u shtyp Dvorani nga bërrylat Rama-Meta?”. Editoriali mbërrinte një ditë pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor që deklaroi përfundimin e mandatit të tij si anëtar i Gjykatës së Lartë, përmes të cilës ishte zgjedhur automatikisht anëtar dhe kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Ky zhvillim pasonte një periudhë disajavore të qetë në aksin Presidencë-Kryeministri. Ilir Meta shfaqej ato ditë më i qetë se zakonisht në konferencat periodike javore për shtyp dhe fjalëpaktë ndaj Ardian Dvoranit, njeriut që e paditi penalisht në tre prokurori për shkelje të Kushtetutës, përvetësim të kompetencave presidenciale dhe si “pjesë të një grupi të strukturuar kriminal e mafioz që synonte kapjen e Gjykatës Kushtetuese”.
Presidenti shfaqej në humor dhe me diplomaci iu shmang “kurthit” të pyetjes gazetareske nëse shkarkimi i Dvoranit ishte një dhuratë e Edi Ramës për të. “Kjo pyetje që bëtë ju më bën të mendoj se nëse kjo është e vërtetë, atëherë ky institucion kontrollohet nga mazhoranca. Shpresoj që kjo të mos jetë e vërtetë”, tha ai.
Pyetja nuk mbërrinte pa asnjë bazë. Më 22 prill, Presidenti dekretonte pa vonesa ndryshimet e miratuara nga socialistët në Kodin Penal, që ashpërsonin ndëshkimet për shkeljen e karantinës dhe një javë më vonë dorëzonte në Këshillin e Lartë Gjyqësor kërkesën për deklarimin e përfundimit të mandatit të Ardian Dvoranit në Gjykatën e Lartë.
Ato ditë, raportet mes Presidentit dhe Kryeministrit shfaqeshin më “të ngrohta”, ndaj pyetja që Gazeta “Si” ngriti pas kërkesës së beftë të Presidentit për shkarkimin e Dvoranit ishte: A ka ndonjë pakt të fshehtë mes Ilir Metës dhe Edi Ramës, që mund të vendoste fatin e tij në krye të KED-së?
Fatin e tij e vendosi KLGj, duke na rikthyer tek pyetja nëse kreu i KED-së ishte “viktimë” e raportit Rama-Meta. Në fakt, prej tetorit të vitit të kaluar, kur shpërtheu përplasja për radhën e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, kështu duket.
Dvorani e pa veten në mes të kësaj përplasjeje, që rrënjët i kishte më të thella, që prej zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Presidenti e sulmonte në muajt e fundit të 2019-s si drejtues në KED të një strukture mafioze që synonte kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca e mori në mbrojtje dhe akuzonte Presidentin se i trembej drejtësisë së re.
Por, kur raportet Presidencë-Kryeministri ndryshuan në pranverë gjatë muajve të karantinës dhe Ilir Meta kërkoi prej KLGj-së shkarkimin e Dvoranit, mazhoranca pothuajse heshti. Këtë herë nuk doli në mbrojtje të tij me zellin e vjeshtë-dimrit.
Tani, që raporti mes Presidentit dhe mazhorancës janë ashpërsuar sërish, (duke filluar që me gjuhën e përdorur për krizën e radhëve të emigrantëve në Kakavijë), Ardian Dvorani kërkon rikthimin në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Fati dhe pozicioni i Ardian Dvoranit në institucionet e parashikuara nga reforma në drejtësi duken si të lidhur pashmangshmërisht me humorin e raportit Rama-Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje