Pritjes 28-vjeçare të Argjentinës i ka ardhur fundi. Mesi me shokë kanë triumfuar në finalen e Kupës së Amerikës ndaj Brazilit, duke bërë të lumtur një popull të tërë. Ky është trofeu i parë për Mesin me fanellën e kombëtares. Pas 14 vitesh përpjekje, ai ia doli të bëjë të vetin trofeun, që tri herë i kishte ikur nga duart (2007, 2015 e 2016).
Argjentina ka fituar 0-1 në “Maracanà”, ku Mesi ka kujtimin më të hidhur të karrierës, finalen e humbur të Kupës së Botës ndaj Gjermanisë në 2014-ën. Këtë herë, ndaj rivalëve historikë të Brazilit, Argjentina ka shpërthyer në festë falë një goli të bukur të Di Marias në pjesën e parë. Kaq ka mjaftuar që argjentinasit të ngrejnë lart trofeun e 15-të të Kupës së Amerikës, duke barazuar rekordin e Uruguajit dhe duke i dhënë fund pathyeshmërisë së Brazilit në “Maracanà”.
Tite hodhi në fushë formacionin që kishte parashikuar, kurse Skaloni rrezikoi me aktivizimin e Romeros në qendër të mrbojtjes, pavarësisht gjendjes së tij fizike. Po ashtu, në krahasim me gjysmëfinalen, ai aktivizoi Montiel për Molinën, Akunjën për Taliafikon, Paredes për Rodriguez dhe Di Maria për Gonzalez.
Ndeshja pati ritëm të ngadaltë, me shumë faulle. Argjentina veproi më shumë në krahun e djathtë dhe goditi në tentativën e parë në minutën e 21-të: pasim i gjatë prej 40 metrash nga De Paul për Di Marian, që me një parabël nuk i lë asnjë shans portierit Ederson. Brazili has vështirësi dhe në pjesën e dytë Tite aktivizon menjëherë Firminon dhe Vinicius, por rreziku kryesor për Argjentinën mbetet Riçarlison, të cilit i anulohet një gol nga VAR-i për pozicion jashtë loje.
Brazili nuk arrin ta çajë mbrojtjen e Argjentinës edhe me 5 sulmues dhe gjithçka mbyllet 0-1. Ishte sfida e 5-të mes Mesit dhe Nejmarit, e para që vlente një trofe. Mesi nuk shkëlqeu si zakonisht, por prania e tij ishte gjithmonë një rrezik për portën e Brazilit. Nejmar ishte edhe më dobët, duke humbur në fanellat e mbrojtjes argjentinase. Shumë nervoz braziliani gjatë gjithë kohës në një mbrëmje për t’u harruar.
Në shkallët e stadiumit ishin rreth 7 mijë spektatorë, por para ndeshjes pati disa probleme. Disa persona janë paraqitur me certifikata false vaksinimi për të hyrë në stadium. Alarmi u dha pak orë para finales nga laboratori që merrej me analizat e tamponëve. Duhet theksuar se klima mes dy tifozërive në stadium këtë herë ishte e qetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje