Futboll

Armando Broja tregon vlerat me Çelsin, gol dhe asist në miqësore

I aktivizuar në pjesën e dytë të miqësores ndaj Peterborou, sulmuesi i Kombëtares, Armando Broja, ka shënuar një gol dhe ka dhënë një asist në fitoren 6-1 të Çelsit. Sinjale të qarta për klubin londinez dhe trajnerin Tomas Tuhel nga futbollisti kuqezi, që ka rritur shanset për të qëndruar te kampionët e Europës.

Sezonin e fundit Broja luajti në Holandë, me Viteshen, ku u huazua nga Çelsi. Paraqitja e tij ishte mjaft e mirë në kampionatin holandez, ndërsa trajneri gjerman, Tomas Tuhel, e ka përfshirë në grupin e futbollistëve që po kryejnë fazën përgatitore. Broja e ka shpërblyer besimin e tij, duke realizuar në miqësoren e sotme dhe duke dhënë një pasim goli për marokenin Ziesh.

Sigurisht, nuk mjafton vetëm kaq, por sinjalet janë pozitive nga Broja dhe gjithmonë e me tepër po shtohen zërat se klubi londinez ka bërë gati një kontratë 5-vjeçare për sulmuesin e Kombëtares së Shqipërisë.

Mbetet të shihet, nëse Tuhel do të vendosë përfundimisht për ta mbajtur Brojën në skuadër edhe gjatë sezonit, apo ai do të huazohet sërish, në mënyrë që të ketë mundësinë të luajë rregullisht. Me largimin e Zhiru, në sulmin e Çelsit është liruar një vend dhe Broja është më i pjekur se një vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë