Ne rrjet

Armët bërthamore taktike dhe ‘superbomba’, a do ta përdorë vërtet Rusia?

Gazeta Si – Në luftën e Ukrainës është dita e “bombave”: pas atyre reale, të hedhura me tonelata që nga fillimi i konfliktit, tani ka rënë fantazma e atyre jokonvencionale dhe atyre me kapacitet të madh shkatërrues. 

Pasojat “të paparashikueshme”, të premtuara nga Rusia, nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s vazhdojnë të furnizojnë Ukrainën me armë, kanë sjellë kërcënimin bërthamor përsëri në qendër të konfliktit.

Në një intervistë me CNN të premten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, paralajmëroi komunitetin ndërkombëtar, duke argumentuar se ushtria ruse mund të përdorë armë bërthamore. 

“Nuk kam frikë, por kam ndërmend të jem i përgatitur, – tha ai. – Ky problem, megjithatë, nuk është unik për Ukrainën, ai i përket gjithë botës”. 

Drejtori i CIA-s, William Burns, gjithashtu argumentoi se “përdorimi i mundshëm i armëve bërthamore nga Putini nuk duhet të merret lehtë”. 

Megjithatë, pasi kanë dhënë alarmin, si nga Uashingtoni, ashtu edhe nga Kievi e bëjnë të qartë se për momentin nuk ka asnjë shenjë konkrete të një sulmi bërthamor. “Për momentin, – tha Burns, – ne nuk shohim asnjë shenjë në këtë drejtim”.

Në fillim të konfliktit, më 27 shkurt, Putin kishte vënë në gatishmëri sistemin rus të mbrojtjes bërthamore, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se, “në rast të një kërcënimi për sigurinë kombëtare”, Rusia mund të përdorë “forcat e parandalimi bërthamor”. 

Megjithatë, ky gjest u interpretua më shumë si një lëvizje me efekt, sesa si një kërcënim real, aq sa vetë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e kishte nënçmuar në ditët në vijim. 

Megjithëse ai nuk vuri re ndonjë lëvizje që mund të përforconte shqetësimin, drejtori i CIA-s, shpjegon se agjencia monitoron nga afër dhe se kjo është përgjegjësia kryesore e njerëzve të saj: dështimet ushtarake dhe një “dëshpërim i mundshëm”, thotë ai, mund ta shtyjnë Vladimir Putinin të përdorë armë bërthamore taktike më pak të fuqishme, por ende shkatërruese në Ukrainë.

Ndryshe nga armët bërthamore “strategjike” të Luftës së Ftohtë, me të cilat Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mund të godasin njëra-tjetrën duke qëlluar drejtpërdrejt nga territori i tyre dhe të cilat u përdorën si parandaluese, ato taktika kanë një rreze më të shkurtër veprimi dhe godasin në distanca më të shkurtra. 

Bëhet fjalë për pajisje më të vogla se ato klasike, me një distancë të kufizuar prej rreth një kilometër e gjysmë, për t’u përdorur në betejë, nëse ushtria nuk arrin të fitojë me armë konvencionale. 

Ky opsion, shumë më pak shkatërrues se bomba e hedhur në Hiroshima, mund të jetë gjithashtu një mënyrë për të “bindur” kundërshtarin të heqë dorë, për të shkaktuar një “de-përshkallëzim” përmes një “përshkallëzimi”: është një opsion tipik i doktrinës ushtarake Ruse, siç vëren vetë Burns.

Rusët kanë rreth 2000 të tilla në depozitat e tyre, jo gati për përdorim, por edhe vendet evropiane kanë rreth qindra, të ruajtura në baza të ndryshme.

Ushtria ruse mund të përdorë dy sisteme për t’i lëshuar ato: raketat “Kalibr”, 6.2 metra të gjata dhe të gjuajtura nga toka ose deti, të cilat kanë një rreze veprimi prej 1500/2500 kilometra dhe sistemin “Iskander-M”, i cili fillon nga toka dhe ka një distanca prej 400-500 kilometrash. 

Ka shembuj të shumtë të armëve bërthamore taktike, ato ndryshojnë shumë në madhësi dhe fuqi: ngarkesa e më të voglit mund të arrijë një kiloton, ose ekuivalentin e një mijë tonësh TNT, më i madhi edhe në 100 kiloton. 

Efektet ndryshojnë sipas madhësisë dhe vendndodhjes së shpërthimit: ai që vrau 146,000 njerëz në Hiroshima, “Little Boy”, kishte një ngarkesë prej 15 kilotonë.

Me shumë gjasa, për momentin, rusët mund të hedhin një “superbombë” Fab-3000 në Mariupol, siç duket të sugjerojnë imazhe të pakonfirmuara të publikuara javën e fundit në rrjetet sociale, që tregojnë disa bomba afër bombarduesve rusë “Tu-22M”. 

I dizajnit sovjetik, i porositur në vitin 1946, “Fab-3000” peshon 3 tonë – 3 mijë kilogramë në fakt – dhe ka një masë shpërthyese prej 1.400 kilogramësh: ka një rreze shkatërrimi prej rreth 50 km, por copëzat mund të godasin edhe në 260 dhe është projektuar për të shkatërruar zonat industriale, urbane dhe portuale. 

Ka mundësi që rusët duan ta përdorin atë për të goditur portin e Mariupolit dhe fabrikën e çelikut, “Azovstal”, në tunelet e nëndheshme të së cilës është strehuar rezistenca që mbron qytetin prej gati dy muajsh.

Është një armë e fuqishme, por konvencionale, anti-bunker, e përdorur tashmë nga BRSS-ja në Afganistan në vitet 1980. Që atëherë ajo kishte mbetur në depo ushtarake, ku rusët do ta kishin rikuperuar pikërisht për operacionin “special” të Putinit në Ukrainë. 

Amerikanët kishin përdorur një të ngjashëm – “Moabin”, ‘nëna’ e të gjitha bombave – edhe në Afganistan, për të dërguar një mesazh të dyfishtë: njëri për talibanët, tjetri për Iranin dhe Korenë e Veriut që mbronin materialin e tyre strategjik në bunkerë. 

Sigurisht, përdorimi i mundshëm i “superbombës” nga rusët, është një sinjal se çfarë duhet të presim nga faza e dytë e luftës: një stuhiraketash të çdo lloji, të derdhura mbi kokat e ukrainasve, pa dallime të mëdha ndërmjet objektivave ushtarake dhe atyre civile. Kjo është strategjia klasike e ushtrisë së Putinit.

Përshtati: Gazeta: “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë