Ne rrjet

Arrestimi i gazetarit, Lukashenko kundër Perëndimit: U kalua vija e kuqe!

“Sulmet” kundër Bjellorusisë kanë kaluar një ‘vijë të kuqe’”. Kështu është shprehur presidenti Aleksandr Lukashenko, pas qëndrimit të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare për rrëmbimin e avionit “Ryanair” nga Minsku për të arrestuar gazetarin-disident, Roman Protasevich.

“Siç e kishim parashikuar, njerëzit e këqij të jashtëm dhe të brendshëm kanë ndryshuar metodat e sulmit ndaj vendit: ata kanë kapërcyer shumë vija të kuqe dhe kanë kapërcyer kufijtë e arsyes së shëndoshë dhe moralit njerëzor”, – tha Lukashenko në një takim me parlamentarë, anëtarë të komisionit kushtetues dhe përfaqësuesit e organeve qeveritare, sipas asaj që shkruan BelTA.

Lukashenko tha se ai veproi ligjërisht në lidhje me uljen e detyruar të fluturimit  të avionit Ryanair në Minsk. “Unë veprova ligjërisht, duke mbrojtur njerëzit, në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare”, – raporton kanali Telegram First Man’s Pool, pranë administratës presidenciale bjelloruse, i publikuar nga agjencia Interfax.

Lukashenko e cilësoi gjithashtu një “gënjeshtër absolute” lajmin se një avion ushtarak detyroi uljen e aeroplanit me 133 pasagjerë ku ndodhej edhe Protasevich.

Bjellorusia ka paralajmëruar se mund të vendosë një embargo mbi importin e mallrave perëndimore dhe të vendosë kufizime në tranzitin e tyre në rast të sanksioneve më të rrepta.

“Ne mund të mbrojmë qytetarët tanë dhe bizneset tona. Me urdhër të presidentit, qeveria ka përgatitur një paketë të masave të veçanta të mbrojtjes në përputhje të plotë me ligjet tona, – u shpreh kryeministri bjellorus, Roman Golovcenko në Parlament sipas Interfax. – Këto masa do të jenë mjaft të dhimbshme për vendet që kanë marrë një qëndrim të hapur armiqësor dhe masat tona mund të shkojnë nga një embargo mallrash, deri te kufizimet e tranzitit”, – vijoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë