Bota

Arrestohen vrasësit e ambasadorit italian në Kongo, zyrtarët: Donin ta merrnin peng (Video)

Zhvillime të reja në hetimin e vrasjes së ambasadorit italian Luca Attanasio në Republikën Demokratike të Kongos. Pothuajse një vit pas pritës në të cilën humbi jetën së bashku me eskortën e tij, karabinierin Vittorio Iacovacci dhe shoferin Mustafa Milambo, policia e Kivu-së së Veriut njoftoi arrestimin e atentatorëve të dyshuar të diplomatit, i cili u vra më 22 shkurt 2021.

Të ulur në tokë, të prangosur dhe të rrethuar nga agjentë të armatosur, 6 burra u treguan nga komandanti i policisë së provincës lindore të vendit, Aba Van Ang, si anëtarë të “grupeve kriminale që kanë përgjakur zonën e Gomës”.

Mes tyre, “dyshohet se është edhe grupi që sulmoi autokolonën e ambasadorit”, tha gjenerali Konstant Ndima Kogba. Ai që ka qëlluar ndaj ambasadorit italian, thuhet se ka qenë kreu i bandës së grabitësve, i cili quhet “Aspirant”, por “është ende në arrati”, shtoi Aba Van Ang.

“Por ne e dimë se ku është dhe shpresojmë ta gjejmë”. Gjithashtu sipas komandantit të policisë lokale, i cili nuk dha detaje mbi rrethanat e arrestimeve, grupi ka dashur të rrëmbejë ambasadorin dhe më pas të kërkojë një milion dollarë shpërblim.

Por kur “Aspiranti” qëlloi ambasadorin që u largua me vrap, duke e vrarë, planet e tyre dështuan. Të arrestuarit e tjerë janë pjesë e dy grupeve, të quajtur Bahari dhe Balume, përgjegjës për disa vrasje dhe sulme me qëllim grabitjeje.

Në kohën e pritës, Luca Attanasio ishte në një mision jashtë Gomës me Programin Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara, i cili supozohej të garantonte sigurinë e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë