Bota

Arrestohet ish-zyrtarja e lartë e ministrisë së Brendshme të Serbisë

Ish-sekretarja shtetërore e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Diana Hërkaloviç, është ndaluar të premten nga policia.

Zyra e Prokurorit për Krimin e Organizuar ka kërkuar mbajtjen e saj në paraburgim, me akuzën për ushtrim të ndikimit. Diana Hërkaloviç u emërua Sekretare e Shtetit në Ministrinë e Brendshme në vitin 2017.

Në atë kohë, funksioni i ministrit mbahej nga Nebojsha Stefanoviç, ministri aktual i Mbrojtjes i Serbisë. Hërkaloviç përshkruhej si bashkëpunëtorja e tij më e afërt. Në fund të majit 2019, Hërkaloviç dha dorëheqjen pa dhënë arsye.

Emri i saj u përmend përsëri në media në janar të këtij viti 2021, kur u raportua se Hërkaloviç ishte një nga të personat që është marrë në pyetje për çështjen e përgjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ministria e Brendshme dhe Prokuroria as nuk i konfirmuan dhe as i mohuan këto pretendime dhe zyrtarja nuk ka folur asnjëherë për këtë.

Në mesin e vitit 2020, tabloidet pro-qeveritare, filluan të shkruajnë për lidhjet e supozuara të Hërkaloviç me një klan kriminal në Serbi. Por, policia dhe prokuria nuk kanë dhënë informacione lidhur me këtë.

Zyra e Prokurorit për krim të organizuar në Beograd ka akuzuar Veljko Bellivukun dhe grupin e tij në një rast të profilit të lartë.

Bellivuk dhe 30 persona të tjerë, ishin të dyshuar dhe nën hetim për pesë vrasje të rënda, trafikim të armëve dhe të drogës dhe një akuzë për përdhunim.

Bellivuk u arrestua më 4 shkurt 2021. Diana Hërkalovië u mor në pyetje për këtë rast dhe mediat raportuan se ajo u pyet për lidhjet e saj me Bellivukun.

Sidoqoftë, avokati i saj, Nenad Tasiç, i tha portalit ‘Insider’ se policia i bëri pyetje në lidhje me rrethanat e rrezikut të sigurisë së presidentit, Aleksandar Vuçiç dhe familjes së tij dhe se ajo mohoi se kishte ndonjë njohuri për këtë.

Gjithashtu, avokati deklaroi se Hërkaloviç u pyet për njohjen e saj me Slavisha Kokez, ish-presidentin e Federatës së Futbollit të Serbisë. Kokez u mor në pyetje nga policia për lidhjen e supozuar me grupin e Bellivukut, të cilën ai e mohoi.

Pas arrestimit të Bellivukut, presidenti i Serbisë e quajti atë dhe bashkëpunëtorët e tij një “degë” të klanit kriminal malazez dhe vuri në dukje, se në Serbi ishin krijuar dy grupe kriminale.

Gazetarë dhe hulumtues në Serbi, kanë raportuar se Bellivuk dhe disa anëtarë të grupit të tij, pretendohet se gjatë seancës gjyqësore deklaruan se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe bashkëpunëtorët e tij i kanë kërkuar [Bellivukut] më shumë shërbime.

Këto shërbime përfshijnë kontrollimin e huliganëve të futbollit dhe protestave antiqeveritare. Presidenti i Serbisë, si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, i mohuan këto pretendime. Opozita në Serbi kërkoi hetim për këto pretendime që e lidhin Bellivukun me zyrtarë të lartë shtetërorë. /REL/


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë