Bota

Arrestohet ‘mbreti’ i kriptomonedhave në Bahamas dhe themeluesi i Ftx

Gazeta Si – Sam Bankman-Fried, themeluesi dhe ish-CEO i bursës së falimentuar të kriptomonedhave FTX, është arrestuar nga autoritetet në Bahamas, pasi agjencitë ligjzbatuese në SHBA ngritën një ankesë kundër tij.

Prokurori i Përgjithshëm në Bahamas, Ryan Pinder, tha se Shtetet e Bashkuara ngritën akuza të paspecifikuara penale kundër Bankman-Fried dhe “ka të ngjarë të kërkojnë ekstradimin e tij”.

Bankman-Fried, 30 vjeç, do të dëshmonte në 14 dhjetor para Komitetit të Shërbimeve Financiare të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA.

“Bahamasi dhe Shtetet e Bashkuara kanë një interes të përbashkët për të mbajtur përgjegjës të gjithë individët e lidhur me FTX, të cilët mund të kenë tradhtuar besimin e publikut dhe kanë shkelur ligjin”, – tha kryeministri i Bahamasit, Philip Davis.

Muajin e kaluar, FTX dhe bashkëpunëtorët e saj u paraqitën për falimentim dhe Bankman-Fried dha dorëheqjen nga posti i tij si drejtor ekzekutiv.

Ish-gjeniu-rebel ishte deri vonë i 60-ti në botë në listën e miliarderëve sipas revistës “Forbes”.

Vlerësohet se ai kishte pasuri prej 26.5 miliardë dollarësh, të cilat më pas u reduktuan brenda një dite në 991.5 milionë.

Vlera e tij neto, domethënë, ra 94%, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg, rënia më e madhe njëditore në historinë e indeksit.

Iu deshën 5 vjet për t’u ngjitur në majë. Disa javë më parë, ai shkroi në Tëitter: “Bëra një budallallëk dhe duhet të kisha bërë më mirë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë