Rend dhe Ligj

Arrestohet në Korenë e Jugut 50-vjeçari shqiptar i dënuar me burg përjetë për vrasje dhe plagosje të taksistëve

Gazeta Si – Një 50-vjeçar shqiptar është arrestuar në Korenë e Jugut me qëllim ekstradimi në Tiranë, ku është i dënuar për vrasje dhe plagosje të disa taksistëve me qëllim grabitjen e tyre.

Në një njoftim të Interpolit shqiptar, bëhet me dije se Ervin Shahini i ka kryer këto vepra penale në vitin 1995, por u arratis nga burgu gjatë trazirave të vitit 1997.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit, Tiranë, e ka dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vjedhja me dhunë me pasojë vdekjen”, “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Shahini, në kohë të ndryshme të vitit 1995, duke përdorur armë të ftohta (thika), ka vrarë dhe plagosur shtetas që punonin si taksistë.

Pasi i faturonte si taksi, për të shkuar në destinacionet e kërkuara, 50-vjeçari i godiste drejtuesit me thikë, iu merrte automjetet dhe largohej nga vendi i ngjarjes. Të njëjtin mekanizëm ka përdorur në të gjitha ngjarjet, konkretisht:

– më datë 15.05.1995, në bashkëpunim me shtetasit A.M. dhe N.K., plagosi me thikë shtetasit P.B. dhe A.A.

– më datë 10.07.1995, plagosi me thikë shtetasin S.H.

– më datë 27.08.1995, vrau shtetasin Xh.A.

– më datë 27.10.1995, plagosi me thikë shtetasin I.I.

Gjatë trazirave të muajit mars të vitit 1997, ky shtetas është arratisur dhe është larguar në mënyrë të kundërligjshme jashtë Shqipërisë.

Drejtoria e Interpolit, që prej vitit 2015, ka shkëmbyer korrespondenca të shumëfishta me zyrat homologe dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese, me qëllim lokalizimin dhe më pas arrestimin provizor të këtij shtetasi, për ta ekstraduar në vendin tonë.

Së fundi, është siguruar informacion se ky shtetas strehohej në Republikën e Koresë.

Nga informacionet dhe verifikimet rezultoi se shtetasi Ervin Shahini përdorte identitetin e një shtetasi tjetër shqiptar, për t’iu shmangur arrestimit.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me Interpol Seulin, vijojnë punën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë