Pas skandalit të publikuar mbrëmë nga emisioni “Të Paekspozuarit”, në lidhje me falsifikimet e kompanisë Dunwell Haberman (kompania mëmë e DH Albania), fituese e lotit të parë prej 18 milionë euro për rindërtimin e Unazës së Madhe ka reaguar Autoriteti Rrugor Shqiptar. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, ARRSH bën të ditur se ka pezulluar ndërtimin në lotin e parë, ndërsa shton se është në pritje të përgjigjes nga autoritetet amerikane.
“Në funksion të sqarimit të plotë të situatës dhe pretendimeve të shfaqura në emisionin “Të Paekspozuesit”, janë ndërmarrë këto veprime:
ARRSH i është drejtuar institucioneve që përmes komunikimit me rrugë zyrtare tu kërkohet autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të verifikuar dokumentet e paraqitura në institucionet shqiptare nga kompania në procedurën e garës.
Deri në sqarimin e situatës dhe përgjigjen nga autoritetet amerikane nuk do të vijohet me aktivitetin ndërtimor të kësaj kompanie për lotin Nr.1 të segmentit, që shtrihet nga Ura e Lanës deri tek mbikalimi i sheshit Shqiponja.

Në rast se autoritetet amerikane do të konfirmojnë zyrtarisht pretendimet për falsifikime dokumentacioni nga kjo kompani, në zbatim të përcaktimeve ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme dhe do ndjekë procedurat e tjera të përcaktuara në ligj. Në rast të zgjidhjes së kontratës, ARRSH do të rifillojë menjëherë procedurat e prokurimit për këtë lot për të mundësuar përfundimin në kohë të këtij projekti të rëndësishëm për kryeqytetin.
Autoriteti Rrugor Shqiptar garanton opinionin publik se është i vendosur të mbrojë maksimalisht interesat e shtetit shqiptar duke zbatuar përcaktimet ligjore për çdo situatë të tillë”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje