Artur Melo, mesfushori brazilian, ashtu siç ishte parashikuar, ka zbarkuar në Torino mbrëmjen vonë të së shtunës. Nga sot ai do të hyjë në botën e Juventusit, pasi do të shkëmbehet me Miralem Pjaniç, një operacion merkatoje tashmë i mbyllur mes klubi bardhezi dhe Barcelonës Vizitat mjekësore të dy futbollistët do t’i kryejnë në Itali, braziliani me mjekët e Juventusit dhe boshnjaku me ata katalanas.
Ana financiare e operacionit ishte përcaktuar pak ditë më parë, Pjaniç është vlerësuar 60 milionë euro, kurse Artur 70+5 bonus, kështu që klubi italian duhet të derdhë diferencën në arkën e Barcelonës. Faza e fundit e bisedimeve ka shkuar mirë dhe janë saktësuar edhe detajet e fundit, deri te dëmtimi i mundshëm i ndonjërit prej lojtarëve deri në fund të sezonit. Gjithçka pritet të zyrtarizohet brenda së martës për shkaqe të lidhura me bilancet respektive.
Artur shoqërohet në Torino nga avokati Vicente Fores, nga babai Ailton, vëllai Paulo Henrique dhe ish-katalanasi Robert Fernandez, i cili mundësoi kalimin e tij nga Gremio te Barcelona. Vizitat mjekësore për Pjaniç do të kryhen në Torino, për shkak të limitimit të fluturimeve për në Barcelonë.

Një operacion tjetër që pritet të mbyllet shumë shpejt është kalimi i mbrojtësit Ashraf Hakimi tek Interi. Reali duket se e ka pranuar ofertën zikaltër prej 45 milionë eurosh dhe ka vendosur ta shesë mbrojtësin e djathtë, që e kishte huazuar te Borusia Dortmund sezonin e fundit. Hakimi mund të jetë një lojtar i Interit javën e ardhshme dhe së shpejti pritet të bëjë edhe vizitat mjekësore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje