Futboll

As familja Nuri dhe as Morina, një aksioner i ri te Tirana?

Aksionerët e Tiranës pritet të shtohen shumë shpejt. Pak ditë më parë nga Bashkia e Tiranës u bë me dije se kanë dalë në shitje aksionet që ky institucion zotëron, që janë në masën 36%. Pjesën tjetër të aksioneve e zotëron Refik Halili, i cili është njëkohësisht presidenti i klubit kryeqytetas. Sapo u mësua lajmi se Bashkia e Tiranës është gati t’i mbyllë llogaritë me klubin e futbollit, duke e lënë gjithçka në dorë të privatit, nisën aludimet për aksionerët e rinj.

Julian Morina dhe familja Nuri janë përmendur menjëherë si kandidatët kryesorë për t’iu bashkuar Halilit te Tirana, por në fakt situata është pak më ndryshe. Biznesmeni Julian Morina, i cili ka investuar para pak vitesh te Tirana, bashkë me presidentin Refik Halili, e ka thënë publikisht se ka një projekt konkret dhe se dëshiron të afrohet te klubi bardheblu. Po ashtu, edhe për familjen Nuri, që prej vitesh ka dhënë një kontribut të çmuar për Tiranën, është thënë se duhet marrë në konsideratë në shitjen e aksioneve. Megjithatë, këto janë vetëm dëshira dhe dikush tjetër duket se është më afër Tiranës se emrat e përmendur më lart.

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, dhe biznesmeni Kristian Boçi, në tribunën e “Selman Stërmasit”

Gazeta Si mëson nga burime pranë saj se bëhet për një biznesmen, i cili kohët e fundit është parë shumë pranë presidentit Refik Halili. Ai quhet Kristian Boçi, por për momentin nuk ka ende asgjë zyrtare. Prania e biznesmenit Boçi në tribunën “VIP” sa herë luan Tirana, shumë pranë presidentit Halili, lë shumë dyshime se mes tyre po lind një bashkëpunim. Sido që të jetë, afrimi i një tjetër biznesmeni, kushdo qoftë ai, për Tiranën do të jetë më mirë, sepse do të shtohen investimet në klub. Një erë e re ka nisur të fryjë tek ekipi më i titulluar në vend, që duke nisur nga sezoni i ardhshëm pritet të ketë një potencial më të madh financiar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë