Ne rrjet

As spitale, as restorante e as kinema. Bizneset britanike mbyllen për funeralin e mbretëreshës

As shkollë, as McDonalds, as kinema. Përpos pezmatimit në Britani pas vdekjes së mbretëreshës Elizabeth, vendimi për të mbyllur ekonominë ditën e funeralit të saj, është shoqëruar me shumë kritika, tallje dhe paqartësi.

Qeveria britanike njoftoi fundjavën e shkuar se e hëna do të ishte pushim zyrtar për të lejuar individët, bizneset dhe organizatat e tjera të tregonin respektin e tyre ndaj mbretëreshës. Shkollat do të mbyllen, por kompanive iu la në dorë nëse donin apo jo të mbylleshin.

Ky sugjerim vendosi në dilemë dyqanet, restorantet, klubet dhe hotelet. Nëse mbyllen për t’u lejuar punonjësve ditën e pushimit, rrezikojnë akuzat për mohimin e shërbimeve bazë për publikun. Qëndrimi i hapur, megjithatë, do të kërkonte staf – i bërë edhe më i ndërlikuar nga pritshmëritë që punëtorët nuk duhet të paguhen nëse dëshirojnë të vajtojnë ose t’i bëjnë nderimet e tyre Mbretëreshës.

Hotelet e Center Parcs do ta bëjnë pushim të hënën, në pesë resortet e tyre duke nënkuptuar se pushuesit aty, ose do të ndërpresin pushimet ose do të largohen diku tjetër. Pas reagimeve negative, Center Parcs tha se stafi nuk do të punojë, por klientët mund të qëndrojnë në dhomat e tyre duke shkaktuar një tjetër paqartësi, derisa u sqarua se klientët do të mund të shëtisnin nëpër parqe dhe fshatra pushimi. Objektet e saj do të mbyllen.

Disa kompani të tjera e kanë menduar më gjatë. Rrjeti i bareve, J D tha se do të mbajë hapur barin në Londrën qendrore dhe pranë stacioneve të transportit, por në vendet e tjera do të jenë mbyllur deri në orën 13.00 pasdite, kur pritet të mbarojë funerali.

Rivali i tij, Greene King ka thënë se do t’i mbajë hapur ambientet dhe njerëzit mund të ndjekin nga atje funeralin e mbretëreshës në TV.

Baret do të qëndrojnë hapur, por shumica e dyqaneve jo, përveç atyre në qendër të Londrës, ku pritet të mblidhen turmat e njerëzve. Shumë njerëz që do të mblidhen në kryeqytet do të udhëtojnë nga pjesë të tjera të Britanisë, duke ngritur dyshime nëse infrastruktura e transportit do të jetë në gjendje ta përballojë. Autoritetet e Londrës kanë këshilluar bizneset të qëndrojnë të hapura, veçanërisht restorantet dhe baret.

Ekonomistët presin një goditje të produktit të brendshëm bruto gjatë këtyre mbylljeve.  

“Pushimet e tilla kanë goditur PBB-në edhe në të shkuarën me 0.5 deri në 1 pikë përqindje”, -tha Paul Dales nga Capital Economics. “Meqenëse kjo është një ngjarje e pazakontë me ndoshta më shumë ngjarje dhe aktivitete që anulohen ose shtyhen, mund të jetë drejt të njëjtës rrugë.”

Banka e Anglisë kishte parashikuar tashmë një recesion në Mbretërinë e Bashkuar, duke filluar në tremujorin e fundit të vitit.

McDonalds do të mbyllë të gjithë pikat e veta deri në orën 5 pasdite. Rrjeti I kinemave Vue tha se në ekranet e saj do të shfaqej funerali dhe jo film. Zyrat e mjekëve lokalë do të mbyllen dhe takimet nëpër spitale janë shtyrë, duke sjellë më shumë ankesa nga pacientët.

Publikut britanik nuk i bën përshtypje mënyra se si kompanitë dhe sektori publik po e menaxhojnë situatën. Më shumë se gjysma e tyre mendojnë se është gabim që të shtyhen ndërhyrjet mjekësore. 58% mendojnë se kompanitë po e bëjnë këtë vetëm që të krijojnë një imazh pozitiv./Bloomberg


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë